Frrok Çupi/
Ç’tu desh, o njeri, që ndërtove rrugë? Hape male dhe fusha, i shtrove me asfalt, bëre makina luksoze, e rrite shpejtësinë sa t’u morën mendtë. Harxhove shumë para, u detyrove të punosh për të fituar të tjera pasuri; ngjite aeroplanë dhe hodhe në det anije, lëshove satelitë dhe bëre internet… Po ç’deshe, o njeri?, ishe mirë me shtegun e dhive…
Kam dëgjuar sot një politikane, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke folur para njëzet a tridhjetë banorëve që protestojnë në Unazën e Re. ‘Më kërkuat, ja ku erdha!”, tha politikania me triumfalizëm. Si rrallë herë ndonjë politikan, zonja kryetare tha një të vërtetë. Ajo tha: ‘Ju vëllezër e motra keni të drejtën e Zotit”, tha kryetarja e Partisë, “që të protestoni kundër rrugës’. “Pse të zgjerohet rruga- tha kryetarja- ja ku ishte rruga. Ju keni të drejtën e Zotit”.
Sa politikanë po përsërisin këtë refren kundër rrugëve të gjëra.
Këtu kishte të drejtë kryetarja, se banorët e Unazës ‘kanë të drejtën e Zotit’. E drejta cila është? Se zoti e bëri njeriun dhe kaq: pa rrugë, pa veshje, madje në një kopsht që njerëzit ia vunë emrin ‘Eden’. Të drejtën për t’u ulur në tokën e Zotit, njeriut të varfër ia dha zoti. Por të tjerat i bëri vetë njeriu me dorën e vet dhe me mendjen e vet! Sipas ‘të drejtës së Zotit’, njeriu ia ka bërë të keqen vetes.
E ç’i duheshin njeriut rrugët dhe avionët? Veçse t’i turbullohet mendja nga shpejtësia, e çë tjetër?!…
Kjo është filozofia që ka hyrë përmes ‘të drejtës’. Jemi në një moment thurjeje dhe shthurjeje; sigurisht jo në simbolikën e mediave online me #. Shqipëria njerëzore e këtij shekulli ka hyrë në ‘autostradën’ e shpejtësive të mëdha. Sot brenda më pak se një dekadë dyfishohen dijet njerëzore që nga njeriu i parë i Krijuesit…
Ne që u vendosem në anën e ‘kampit socialist’ pas Luftë së Dytë, patëm fatin e tmerrshëm që ngelëm në vend. Fati ynë i keq nuk ishte thjesht ideologjia; fati ynë tragjik ishte mungesa e shpejtësisë. Po të fitojnë politikanët e filozofisë së ‘të drejtës së Zotit’, atëherë ne na duhet të ‘shthurim’ fatin tonë, domethënë t’i shkojmë mbrapsht si në një fanellë leshi të vjetër.
Si, mbrapsht?
Le ta nisim që këtu te Unaza e re dhe Mbikalimi i Shqiponjës: Që këtu duhet të pezullojmë ndërtimin e rrugës, sepse ‘ja ku e kemi rrugën’, siç deklaroi një kandidate për kryeministre. Të gjitha rrugët që janë vënë në plan për ndërtim, të kthehen mbrapsht; lekët jepuani popullit që proteston ‘për të drejtën’ se do të bëjë raki. Rrugë të gjëra dhe ura nuk do të ketë më. Pas kësaj do të presim me ditë e me net për të hyrë në Tiranë apo për të shkuar në Europë!, pastaj do të marrim bukë me vete dhe ndezim pak zjarr në rrugë!, pastaj nuk do të na duhen më makinat!, pastaj do të na duket e tepërt që jeta mesatare e njeriut është kaq e gjatë!; pastaj do të zhdukim telefonat ‘smart’ për rininë!, pastaj do të kërkojmë të na kthehen rrugët e diktatorit Hoxha dhe bunkerë; pastaj…, do të kërkojmë shtegun e dhive…
Aq pak sa të jetojë njeriu ‘në të drejtën e Zotit’, aq të jetojë, është më mirë pa bërë asgjë, pa rrugë e pa shpejtësi…
Këta politikanë që shesin fatin e vendit për pak vota, mendojnë se për vete mund të jetojnë në luks mes një populli të veshur me lëkurë kafshësh të egra…
Veritas.com.al/