Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalëve në foltoren e Kuvendit të seancës së sotme, la për të nënkuptuar një bisedë të mundshme me Shtëpinë e Bardhë. Pak çaste më parë ai ka njoftuar se biseda është zhvilluar. Rama ka biseduar me zotin John Bolton, këshilltar për Sigurinë i presidentit Trump.
Rama shkruan në Twitter:
“Bisedë me Shtëpinë e Bardhë. Në fokus Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, që të mbyllë konfliktin historik. Këshilltari për Sigurinë J. Bolton, më falënderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konseguente të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Me sa mund të kuptohet, këto janë momentet kur raportet armiqësore mes Serbisë dhe Kosovës duhet të marrin fund, përmes një marrëveshjeje që do t’i paqëtojë pasionet në të dy anët. Edhe një herë tjetër, me sa kuptohet, do të vijë në skenë çështja e ndërrimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë- ku siç është thënë nga dy presidentët e dy vendeve, nis nohja reciproke mes shteteve.
Kjo është hera e parë kur Shtëpia e Bardhë hyn në një bisedë telefonike me qeverinë e Tiranës.
Veritas.com.al/