(FOTO: Gunther Krichbaum në konferencë shtypi)

Siç njoftuam, pasi Gjermania i tha “jo” pranimit të negociatave të Shqipërisë për në BE, do të kishte një konferencë shtypi në orët e pasdites.

Në Konferencën për shtyp ka dalë Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane ne Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum. Ai  ka bërë të ditur se Shqipëria duhet të zbatojë 7 kushte përveç 5 prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Sipas Krichbaum, reforma në drejtësi që është një nga pikat kyçe nuk është realizuar, pasi Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin e Vettingut. Ai  tha se grupi parlamentar i CDU-CSU do të kërkojë “që të mos çelen negociatat” për Shqipërinë, pasi nuk i ka përmbushur ende të gjitha kushtet.

Ai shtoi se grupi i tyre parlamentar, që është më i madhi në Bundestagun gjerman, nëse nuk jep “OK!” për hapjen e negociatave, Kancelarja Angela Merkel nuk mund të mbështesë çeljen e tyre.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane ne Bundestag u shpreh gjithashtu se dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore kanë marrë notë jokaluese, pra nuk janë realizuar si kushte.

Gunther Krichbaum:

“7 pika që janë pritshmëritë e CDU-CSU përpara se ne të jemi pro çeljes së negociatave për integrimin në BE. Ne duam që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE. Duam që qytetarët e Shqipërisë të përfitojnë nga avantazhet e statusit të të qënit anëtarë të BE. Duam që negociatat me Shqipërinë të çelen kur të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Krijimi i shtetit të së drejtës ka rol thelbësor. Sot është ende e paqartë se kur do të hyjë në fuqi reforma në drejtësi, pasi Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar.

Deri  tani, ky kush nuk është përmbushur. Nuk janë përmbushur numri 2 dhe numri 3 i prioriteteve kyçe. Rezultatet e deritanishme janë të pamjaftueshme. Për këto arsye do t’i rekomandojë qeverisë federale mos miratojë hapjen e negociatave. Nuk ka kuptim që në Shqipëri të ketë ekspertë ndërkombëtarë rekomandimi, nëse nuk merren parasysh rekomandimet dhe standardet evropiane. Qytetarët shqiptarë presin procese të drejta ligjore.

Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është ende në nivele të pamjaftueshme. Që nga progres-raporti i fundit nuk shënohen hapa përpara. Korrupsioni mbetet në Shqipëri e përhapur gjerësisht në shumë sektorë, përfshirë drejtësinë dhe policisë. Janë shtresat e varfra që e vuajnë më shumë korrupsionin. Lufta ndaj korrupsionit është testi më i fuqishëm për të provuar shtetin e së drejtës.

Gjithashtu lufta ndaj trafikut të drogës duhet të rritet ndjeshëm. Në luftën ndaj trafikut të drogës janë bërë hap pas. Kjo duhet të shndërrohet në një detyrë parësore.

 

Të gjitha këto prioritete kyçe duhet të përmbushen përpara se të jepet një votë pro. Ligji për kthimin e pronave është në përpunim e sipër, por duhet të bëhet më shumë transparencë në lidhje me këtë proces. Shqipëria ndodhet larg standardeve evropiane në këtë drejtim.

Sa i përket zgjedhjeve duhet të bëhet më shumë punë për mos manipulimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet të zhvillohen në përputhje me standardet evropiane, e theksoj me vullnetin dhe angazhimin e të gjitha palëve politike.

Ligi për dekriminalizimin duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ka ende persona të inkriminuar në funksione publike. Kjo është e papranueshme për ne si grup parlamentar dhe për mua personalisht.

Këto janë pritshmëritë tona që ne kemi. Të gjitha këto reforma bëhen sepse ju do të jeni qytetarë të Bashkimit Europian.

Ky ishte contein i koferencës së shtypit mbajtur nga zoti Gunther Krichbaum.

/Veritas.com.al/