Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar e bëri të qartë përkushtimin e administratës Biden ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë dëshmisë së tij mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në rajon, para Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë.

“Udhëheqësit e të tre vendeve që kanë shqyrtuar nismën e Ballkanit të Hapur na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ne u besojmë atyre. Në fakt, ajo nuk mund të ketë sukses pa tre vendet e tjera”, u shpreh Escobar.

“Nisma e Ballkanit të Hapur pasqyron gjithashtu edhe diçka nga Procesi i Berlinit, quajtur treg rajonal i përbashkët, ndaj ne mendojmë se janë plotësuese, ne mendojmë se çdo gjë që i sjell vendet më afër do të krijojë besim ndërmjet njerëzve, ndërsa do të krijojë edhe mundësi për lëvizje politike për disa nga çështjet”, tha Escobar.

“Pra, po, ne mbështesim të gjitha përpjekjet për t’i sjellë vendet më afër ekonomikisht. A duhet të ndodhë kjo? A duhet të kemi një treg rajonal, një treg të lirë midis gjashtë vendeve me njëzet milionë banorë dhe një ekonomi 125 miliardë dollarëshe, me ritme rritjeje deri në gjashtë apo shtatë për qind? Do të jetë një treg shumë, shumë tërheqës për kompanitë amerikane. Pra, ne duam t’a nxisim të gjithë këtë, dhe duam të nxisim gjithashtu edhe investimet amerikane në rajon”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar.