(FOTO: Lagjja Nënë Tereza në Lezhë, ku sot në mëngjes u gjet makina dhe trupi i pa jetë i vëllait të deputetit)/
Nga: Landi Shkoza/
Dje në mbrëmje është vrarë me 14 plumba vëllai i deputetit socialist, Arben Ndoka. Viktima është Aleksandër Ndoka. Ndërsa trupi i tij është gjetur vetëm sot në mëngjes nga policia. Të gjitha gjasat të çojnë në një hakmarrje për shkak të veprave të deputetit Ndoka dhe nipave të tij. Deputeti Arben Ndoka është i njohur për vepra kërcënuese e të dhunshme, që nga zgjedhjet e vitit 2013 kundër rivales Monika Kryemadhi, te rrahjet e dhunimet në Kuvend dhe deri në vrasjet e tentativat për vrasje të nipave të tij në Shëngjin dhe Lezhë.
Por me gjithë këto vepra, ish- deputeti Ndoka mbeti gjithnjë i favorizuar nga PS dhe qeveria Socialiste; madje mund të thuash se pasi iu hoq mandati i deputetit për shkak të këtyre veprave, ai u kthye në superdeputet dhe bënte ‘ligjin’ në Lezhë, si me autoritetin politik edhe me armë.
Mbasi ‘viktimat’ nuk arritën të gjejnë as drejtësi dhe as arsye te politika dhe qeveria, atëherë nisën veprën hakmarrëse ‘nën gju’. Në zakonin e malësorëve hakmarrja ‘nën gju’ do të thotë ‘poshtë pushtetit të madh’ dhe sipas zakonit të hershëm të hakmarrjes ‘së ligjshme’.
Aleksandër Ndoka mund të jetë ekzekutuar pikërisht si hakmarrje ndaj veprave të vëllait politikan dhe nipave ‘të lëshuar’ kundër të tjerëve.
Sot në mëngjes është gjetur trupi i tij.
Policia e Lezhës ka sekuestruar celularin e Aleksandër Ndokës, ku beson se mund të gjejë shenja të autorit të vrasjes.
Sekuestrimi është kryer në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen për zbulimin e autorëve, hetim i vështirë pasi viktima nuk rezultonte me konflikte apo me precedentë penalë. Ndoka dyshohet se është vrarë me armë me një automatik kallashnikov, në një distancë prej dy metrash. Autorët që mendohet të jenë dy, kanë shtënë drejt tij me 14 plumba. Kaq është edhe numri i gëzhojave që ka gjetur Policia në vendin e ngjarjes, pranë banesës.
Aleksandër Ndoka, 48 vjeç, është vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndokës; këtij të fundit iu hoq mandati për shkak të ligjit të dekriminalizimit, faktit se kishte qënë i dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore.
Policia është duke hetuar në disa pista, përfshirë edhe konfliket e të birit të viktimës, 19-vjeçarit me precedentë penalë.
Ja si njofton Policia:
‘Me datë 09.12.2017, rreth orës 04:25, Salla Operative është njoftuar se në Lagjen “Nënë Tereza” ka ndodhur një vrasje me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE, ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.N.,48 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë, i vrarë me arme zjarri nga persona akoma të paidentifikuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga D.V.P. Lezhë për kapjen e autorëve, janë dërguar edhe dy grupe të Forcave të N dërhyrjes së Shpejtë, Shkodër “.
Veritas.com.al/
https://youtu.be/92QcL28djRw