Nga: Sazan Rrapi/

Kanë nisur protesta këtu e atje, e atje… Unazë, Breg Lumi, Shkozë dhe Arkitekturë. Protestat janë pjesë- pjesë. Majde edhe të palidhura me njëra tjetrën. Se psh., ata të Unazës kërkojnë të mos prishen ose të paguhen 100 % banesat që kanë ndërtuar në zonë informale që para dy a tre dekada. Ndërsa ata të Bregut të Lumit, edhe këta për shtëpi flasin, por për shtëpi që kanë qenë ‘once open a time’. Tani kërkojnë dëmshpërblime për prishej e tyre para disa vjetëve.

… As militanti më i flaktë dhe as dashamirësi më i madh, deri më tani, nuk ka bërë një matje se sa këto protesta janë përfaqësuese në publik dhe sa janë kundër interesave të të gjithëve. Deputetët e Opozitës, vërtet të zellshëm për t’i ndezur protestat dhe për t’i rritur, nuk janë kujtuar të mendohen se si do të dalin. Një pjesë e mirë e tyre kanë shpresë vetëm të muaji ‘dhjetor’ dhe brohorasin se ‘ky është muaji dhjetor ku rrëzohen qeveritë’. I referohen Dhjetorit të vitit 1990, kur studentët u ngritën kundër komunizmit dhe fituan. Por një pjesë e deputetëve të opozitës atëherë ishin në shpërgënj e nuk dinë hiçgjë.

Puna është si të marrin pushtetin! Pushteti është dashuri për miliona. Dhe kjo është e drejta e politikanëve opozitarë, e drejtë në qiell, aq më tepër që dimri po vjen e ata nuk shkojnë as në Kuvend. Zjarri i protestave i ngroh. Edhe mijëra të tjerë do të donin që pushtetin ta merrte opozita. Por këta nuk janë menduar akoma se sa përfaqësues janë në popull, sa janë ata që e duan këtë dhe sa nuk e duan këtë gjë.

Mandej nuk janë menduar edhe se si mund të ngjiten ndër veti protestat që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

Sot e dje e pardje…, por sidomos tani pasdite, një nga deputetët opozitarë, më duket Bardh Spahiu, iu bëri thirrje studentëve që të bashkohen me banorët e Unazës. Gjithë kohës i është bërë thirrje Shkozës që të bashkohet me ‘Trenin’, ‘Trenit’ me ‘Shkozën’, etj. Çudi e madhe, duket se njerëzit janë gogla në xhepa politikanësh…

Ka mundësi që ndonjëri në Shkozë t’u thotë “Ik se kam shtëpinë time këtu në Shkozë, pse më çon te Treni?!”. Ka një ngjashmëri me periudhën e komunizmit, kur fshatarët shqiptarë ngriheshin më këmbë pse ka përmbytje në krahinën Jin të Kinës dhe tregonin ‘solidaritet’ Shqipëri- Kinë.

Më afër një ‘kinezërie’ politike do të ishte sikur banorët e Astirit të kërkojnë diploma arkitekture shtëpi për shtëpi; dhe këta të arkitekturës të kërkojnë shtëpitë e shembura në Astir…

Politika po i merr më qafë njerëzit. Ata kanë kërkesat dhe hallet e tyre të vërteta,familjare, private…, vijnë politikanët dhe i bëjnë ‘përshesh’… Pasi t’u marrin pushtetin ( gjasme) prapë shtëpitë do të shemben dhe tarifat e studentëve do të paguhen…

Veritas.com.al/