Frrok Çupi

Nuk mund të bjerë burri në shteg më të ngushtë se sa ra dje e pardje Bajram Begaj në Kosovë: Kur i duhej që të shfaqej si ‘Bajram’, dmth i hazretit Muhamet, në atë sekondë i kërkohej me qenë ‘Jezus’…, e mandej e kundërta.

Vizita e presidentit shqiptar Bajram Begaj, që ishte vizita e tij e parë në post, përkoi me valën e marrëzisë politike për të mbuluar kokat e vajzave në shkollat e Kosovës.

Zoti Begaj e vuri këmbën e parë në Prishtinë  bash ditën pasi Irani plagosi me thikë shkrimtarin Salman Rushdie- ikonën e ‘djallit’ që Perëndimi e mbronte prej katër dekada. Disa media në Shqipëri, në titra të gjata shkruan se Salman Rushdie është ‘shkrimtar shqiptar’. Edhe Bajrami, në Labëri thërritet ‘Barjam’…

Shumë e ngatërruar! Në mes të kësaj vorbulle, presidentit Begaj iu desh  të notonte në absurdin kosovar.

Në sjelljen tonë politike të tre dekadave ishte bërë zakon që vizita e parë e presidentit të ri bëhej në Vatikan, te Papa. Por u la pas.

Çështja është: A do të mund ta zgjidhte shtegun mes Muhamedit e Jezusit? Presidenti e shmangu besimin fetar dhe iu referua NATO-s dhe BE-së. Por politikanët djallëzorë e dembelë kosovarë prapë mundën që, mes dy fuqive të Perëndimit dhe zotit Begaj,  të fusin frymën e Egjiptit në vitin 1801 kur u vendos aty si sundimtar shqiptari Muhamed Ali.

-A je me ne, apo me Serbinë?

Afërsisht kështu iu drejtuan zotit Begaj, siç iu drejtuan Muhamed Aliut në Egjipt: ‘Je me Portën apo me mamlukët?!”.

Ngatërresën e tre elementëve: Tiranë, BE, NATO, politikanët djallëzorë e kryen kur i kërkuan shqiptarit të Tiranës  dy gjëra absurde për kohët moderne. I kërkuan ‘thuaji Perëndimit (Jezus) të vijë të rrahë pak këtë Serbinë, se nuk flemë të qetë!’. Kjo ishte e para. Dhe e dyta ishte: ‘Merre ushtrinë tënde (dmth të NATO-s) e hajde të na mbrosh (Muhamedi)’…

Pse e krahasova me ‘mamlukët’ e fillim- shekullit 18? Sepse kaq shumë harruan liderët kosovarë se NATO i çliroi, me luftë të madhe madje, nga represioni i Millosheviçit; e tash ia kërkojnë prapë ‘të sulmohet fqinji që të sundojmë rehat në varfërinë tonë’. Sa herë bie shiu në lakra, i trokasin fqinjit: ‘Eeej, na devijo vadën’.

Në kohën kur presidenti po bluante dilemën si të zgjidhte ‘ta rrihte Serbinë prapë me ushtrinë e NATO-s’, për fat u fikën dritat në Kosovë dhe e zgjidhi qeveria e Tiranës. Se përndryshe do ta kishin quajtur ‘tradhtar’ dhe ‘pro- serb’, siç edhe e etiketuan disa.

Kurrë nuk ka qenë rruga e shtruar me murriza, si kësaj here, për Bajramin në Kosovë. Jo pse e kishin shtruar enkas për presidentin e Shqipërisë, por se ashtu janë bërë kaçurrel punët.

Shiko çfarë ndodh, si mes Bajramit e Zeusit:

1.

Vetë qeveria e Kosovës është betuar si ‘qeveri e Republikës’ së Kosovës, por kurrë vetë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës…, as flamurin, as rezolutën 1244, as Rambujenë, as Marti Ahtisaarin. Sa herë janë shfaqur dilema: ‘Ta njohim Amerikën, apo vetëm BE-në?’. Rruga e turbullt i ka prurë deri në ditën e sotme që Republikën e përfytyrojnë si kurorë për një ‘komb mysliman’.

2.

Presidentin Bajram Begaj e prinë për të varri i Ibrahim Rugovës, i pari president dhe themelues i Republikës. Por ndërsa Kosova gjëmon nga debati mbi shamitë e përkrahura prej qeverisë, presidentin ikonë Kosova e ka katolik; emri kristian i Rugovës është si i Shën Pjetrit. Edhe disa autorë kosovarë po çirren me gishta në vesh se Kosova nuk është republikë myslimane. ‘Pa shikoni sa myslimanë keni?, shkruan Liri Loshi; as 10 për qind. ‘A e njihni kombin tuaj?’, i drejtohet qeverisë. As myslimanët nuk janë myslimanë… Në festa po shkojnë sigurisht, por nuk bien shahadet, veç kur tuten, kur u kërcet reja para këmbëve’.

3.

Edhe një autor tjetër që thotë se ‘shamia na ka ruajtur Kosovën prej pushtimit serb’:

Ky e ka emrin Abdylaqim Mehmeti. Kur ia do puna të harrojë myslimanizmin, e lëshon emrin Abdylaqim dhe e quan veten ‘Kim Mehmeti’; një herë Jezus, një herë Bajram. Edhe presidentët shqiptarë e kanë bërë të njëjtën gjë: Kishim një president me dy mbiemra: Metaj dhe Meta. Kishim një tjetër, para këtij, me dy ditëlindje: 15 korrik dhe 15 tetor. Në këtë rast emri dhe ditëlindjet u fshehën për shkak të krimit. Megjithëse mos harrojmë se edhe prapa abuzimit me Jezusin e Muhametin, fshihet krimi në gjithë historinë.

4.

Presidentit Begaj iu kërkua që ‘këtu në Kosovë’ mos mendo se je ‘vet-i-dytë’. Mësimi i Aristotelit se ‘kundërshtomë vëlla, që ta di se jam vet-i-dytë’, këtu u fsheh pas perçes. Po të kishte një mendim ndryshe nga politika e lodhur e Prishtinës, Bajram Begaj do të quhej menjëherë ‘në shërbim të Vuçiç’. Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, kur u pyet ‘çfarë folët për Ballkanin e Hapur’, ajo tha thiktë: ’Nuk ra radha për çështje që nuk jemi dakord’. Osmani kinse kishte në kokë kasetën me fjalët e Bajramit, dhe e fiku makinën.

Mendoni sikur të binte fjala për Jezusin, as që kishte për të pasur radhë deri në vitin tjetër Zero…