Koment nga Veritas/

Kjo duket si deri në kufijtë e të pamundurës, por sipas lajmeve të sotme, duket se diplomacia shqiptare nuk është lidhur dot pas litarit të diplomacisë turke. Prej kohësh politika dhe diplomacia shqiptare janë përshkruar si vasale të Turqisë, gjë që edhe është vërtetuar kur diplomacia shqiptare ka mbajtur anën e Turqisë edhe përkundër interesave të Shteteve të Bashkuara.

Sot Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlud Çavusoglu, ka nisur një vizitë zyrtare në vendin tonë dhe ka zhviolluar konferencën e parë me homologun shqiptar, Bushati.

Siç edhe pritej, pika e parë dhe e fundit e qëllimit të vizitës së zyrtarit të lartë Turk ishte ‘ndjekja këmba këmbës e Gylenistëve’, kudo që ndodhen në botë, edhe në Shqipëri.

Shqipëria i ka mbyllur derën Turqisë në lidhje me mbështetësit e klerikut turk, kundërshtar i qeverisë së Erdogan, Fetullah Gulen.

Nga një mik i afërt i presidentit Erdogan, Gylen është shpallur armiku më i betuar dhe është strehuar në Shtetet e Bashkuara. Por bizneset e tij ndodhen në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri. Erdogan ka shpallur politikën e luftës me çdo çmim kundër çdo njeriu që punon ose përkrah Gylen. Në Shqipëri funksionojnë disa shkolla me emrin e tij. Ministri i Jashtëm turk ka ardhur këtu me qëllim që ‘të zhduke gylenistët’…

Por këtë ofertë duket se nuk e ka pranuar qeveria shqiptare.

Në konferencën e sotme për shtyp të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe ministrit turk Mevlűt Çavușoğlű, pati një pyetje enkas për këtë temë.

I pyetur se çfarë masash ka marrë shteti shqiptar, Bushati tha se Shqipëria është solidarizuar me ngjarjet e ndodhura në Turqi, por se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE dhe ndjek disa rregulla ndërkombëtare.

“Përgjigjja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë qoftë në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë ndër vendet që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime ndaj çdo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”, deklaroi Bushati.

Nga ana tjetër ministri turk tha se shumë mbështetës të Gulen strehohen në Shqipëri dhe janë brenda çdo institucioni dhe strukture shqiptare. Ndaj ai i kërkoi shtetit shqiptar të marrë masa. “Ne nuk strehojmë terroristë shqiptarë, presim që as ju mos ta bëni”, deklaroi ministri turk.

Ndërkohë Bushati u pyet nëse inaugurimi i Xhamisë së Madhe po shtyhet për shkak të përfshirjes së Turqisë. Edhe këtu Bushati ka mbajtur qëndrim të prerë.

“Është absurde që shteti shqiptar të përfshihet në çështjet fetare e jo më një vend mik si Turqia”, tha Bushati.

Nëse fjala turke ‘karshillë’ ka të njëjtin kuptim si edhe në përdorimin tonë, atëherë ministri i Turqisë mund ta ketë marrë qëndrimin shqiptar pikërisht si ‘karshillëk’.

Veritas.com.al/