Sot ka dhënë dorëheqjen drejtori i sapoemëruar i INSTAT, Erion Manohasa. Emërimi ishte bërë nga qeveria Rama. Dorëheqja erdhi menjëherë  pasi PD-së kërkoi shkarkimin e tij me argumentin se ai si drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor (post që kishte mbajtur më parë), u largua nga detyra me vendim gjykate për shpërdorim detyre.

Pse u shkarkua në prill të vitit të kaluar nga detyra si drejtor Fondit të Kujdesit Shëndetësor Erion Mahohasa?

Erion Mahohasa si përfaqësues i PDIU-së i emëruar si drejtor i Fondit të Kujdesit Shëndetësor u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”, sepse dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për nje laborator hemodialize ne Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët.

Por ky vendim gjykate nuk ishte problem për qeverinë “Rama”.

Çfarë firmosi në prill të 2017 Mahohasa?

Në prill të vitit 2017  Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë pezulloi  nga detyra drejtorin e Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Erion Manohasa për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Manohasa në kundërshtim me përcaktimet ligjore kishte lidhur kontratë me një firmë private, që nuk plotësonte kushtet për kryerjen e dializës.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shërbim i ishte dhënë një institucioni, i cili nuk plotësonte kriteret ligjore, nuk ishte qendër spitalore, nuk kishte staf për të trajtuar sëmundje interne, kardiologji, laboratori ishte inekzistent.

Pajisjet e tij nuk ishin verifikuar sipas parashikimeve të aneksit 1 të paketës së dializës, nuk ishte marrë pëlqimi i pacienteve që marrin këtë shërbim minimumi 3-herë në javë me qëllim transferimin e tyre si dhe nuk ishte administruar dokumentacioni përkatës.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, ky shërbim i është dhënë një subjekti, i cili ishte refuzuar nga fondi i kujdesit shëndetësor në vitin 2015.

Për këto shkelje, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për drejtorin Erion Manohasa, deri në përfundimin e plotë të hetimeve dhe gjykimit të kësaj çështje.

Reagimi i INSTAT:

 

Nisur nga një reagim publik i një partie politike, lidhur me emërimin pranë Institutit të Statistikave (INSTAT) të Z.Erion Manohasa, sqarojmë se emërimi është bërë konform Ligjit për Nënpunësin Civil, Nr.152/2013 (ndryshuar me ligjin nr. 178/2014 dhe ligjin 41/2017).

Është e vërtetë se Z.Erion Manohasa ka pasur një çështje gjyqësore, por çështja është pushuar dhe ai është punësuar sipas ligjit nga lista e pritjes së nëpunësve civilë.

Duke u nisur, sidoqoftë nga domosdoshmëria për të mos lënë asnjë hije në integritetin absolut të INSTAT, si një institucion i një rëndësie të veçantë, Z. Erion Manohasa i është kërkuar menjëherë dorëheqja, dhe ai e ka dhënë atë.

Për çdo sqarim lidhur në këtë çështje, ju lutemi kujdo që është i interesuar të kërkojë zyrtarisht dosjen e Z. Manohasa. Nënvizojmë në fund, keqardhjen për një reagim të bazuar në të pavërteta ndaj INSTAT dhe i bëjmë thirrje partive politike që të mos e përfshijnë këtë institucion në politikën e ditës.

Veritas.com.al/