Që në 5 mars, në zyrën e presidentit kanë mbërritur emrat e propozuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Presidenca ka nisur verifikimet për tre kandidaturat e përzgjedhura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për t’u emëruar gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.
Më 27 shkurt KLGJ mori vendimet numër 110-111 dhe 112 ti propozojë presidentit të republikës emërimet për gjyqtarë të lartë të z. Sokol Sashuaj, z.Ilir Panda dhe z.Ervin Pupe.
Ky propozim zyrtarisht u depozitua në presidencë duke respektuar edhe afatin 5 ditor të ankimimit. Brenda 10 ditëve pra deri më 15 Mars presidenca duhet të shprehet nëse do të emërojë apo jo tre kandidatët për të cilët KLGj tashmë ka marrë një vendim. Të tre kandidatët vijnë nga radhët e jo gjyqtarëve dhe pritet që me përzgjedhjen e tyre të nisë nga puna gjykata duke formuar kolegjet e para.
Çfarë parashikon kushtetuta?
Në nenin 136 të saj thuhet: Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit.
Dekreti i Presidentit të Republikës për mos emërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.