Një sulm që nuk synonte thjesht qeverinë, por të kthente Tiranën në një leksion të hidhur për demokracitë. Ky duket ka qenë synimi i së shtunës së kaluar, kur policia u përball me valën më të egër të dhunës dhe ku policët u dogjën pa mëshirë me molotov nga një grup i egër që doli në ballë të protestës. Por ndërkohë që përleshjet ishin në kulmin e tyre pranë urës së madhe të Hotel Dajtit, një tjetër betejë zhvillohej mbi qiellin e kryeministrisë.
Por kjo është vetëm një pjesë e të vërtetës. Jo, por katër dronë të armatosur me lëndë shpërthyese fluturonin mbi qiellin e Tiranës. Objektivi i tyre: kryeministria dhe territori rreth saj. Kopshti Eden, i ndërtuar me dërrasa dhe i mbushur me pemë e gjelbërim. Synimi i goditjes ishte shkatërrimi dhe vënia e saj në flakë. Por kamerat që transmetonin live gjithçka nuk ishin mjaft.
Dy dronë të tjerë ndiqnin katër dronët kamikazë dhe xhironin gjithçka live. Që më pas të fusnin pamjet në rrjetet sociale nën një algoritëm agresiv, që të përhapej me shpejtësi dhe t’i jepte kështu shkelmin e fundit imazhit të një vendi që po shkatërrohej, për të kthyer Shqipërinë nga një vend i preferuar pushimesh në një shembull negativ shkatërrimi.
Por lajmi më i rëndë duket se lidhet me origjinën e dronëve. Sipas burimeve të sigurisë kombëtare, këta 6 dronë komandoheshin nga jashtë territorit të vendit. Në një taktikë të ngjashme me luftën në Ukrainë, dronët kanë kaluar në hapësirën tonë ajrore nga një vend fqinj, por ABC News nuk mund të konfirmojë nëse kanë ardhur përmes Maqedonisë apo Greqisë apo kanë kaluar përmes tyre.
Nëse kjo vërtetohet, nuk mund të hiqet opsioni i dhunimit të hapësirës ajrore të tre vendeve të NATO-s nga një agresor i mundshëm. Dronët kanë qenë kaq të fuqishëm saqë nga identifikimi e deri në çaktivizimin e tyre janë dashur shumë minuta. Një pajisje shumë e fortë dhe efikase, e dhënë nga vende partnere, më në fund ka bërë të mundur që këta dronë të vihen në kontroll e të ulen pa bërë dëmin për të cilin ishin nisur, për të kthyer të shtunën e dhunshme në një natë të zezë për Shqipërinë.
Komente