Frrok Çupi/

Zjarret ranë dhe tani ky është realitet. Nuk mund të thuash se ka mbetur cep i atdheut pa u shënuar në hartën e zjarrit. Një pasuri e tërë kombëtare është vënë në rrezik edhe për një shekull që vjen…

Sapo hapen mediat sociale- në acountet e politikanëve ka zjarr; zjarr edhe në web-et zyrtare; zjarr edhe në ekranet e televizioneve dhe në faqet e para e të dyta të gazetave… Saqë të vjen të mendosh se zjarri real ka zbritur nga pyjet dhe ka përfshirë edhe faqet e mediave.

Po çfarë do të ndodhte sikur të mos kishin rënë zjarret?!…

Sikur të mos kishin rënë zjarret, disa politikanë dhe institucione ishin gati të ‘digjeshin’. Derisa ranë zjarret, ose edhe sikur të mos binin, as kishim për të kuptuar se si do të digjeshin. Por tani jemi në gjendje të kuptojmë se si shpëtuan nga ‘djegia’ pikërisht për shkak të zjarreve.

Cilët?

1.

Dikush nga maxhoranca.

Maxhoranca e këtyre zgjedhjeve të 25 qershorit ka rezultuar e mahnitshme. Vetëm partia kryesore qeverisëse fitoi aq shumë vende në Parlament sa nuk ka nevojë për asnjë shtesë tjetër, as që të bëjë ligje, as që të bëjë reforma dhe as që të shkarkojë apo të vendosë ministra. I ka vetë të gjithë.  Por këtu është edhe ‘zgripi’ i shumë pjesëtarëve të maxhorancës: Ajo ka fituar aq serbes, saqë papritur mund të hajë veten. Domethënë kupola e qeverisë mund të hajë secilin nga anëtarët e saj, pa u ndjerë. Dhe vërtet kështu do të ndodhte që tani, sikur të mos binin zjarret… Fati i mirë- zjarret për disa politikanë që morën lopatat ose tubat e ujit dhe iu drejtuan flakëve në gerxhe. Deputeti i Elbasanit, Balla, është tipik për këtë. Megjithëse shumë i afërt me kryeministrin gjatë legjislaturës së kaluar, tani i ndjen lëkura (siç ndjen edhe flakët), se ka mbaruar ‘ngrohtësia’ e legjislaturës së kaluar. Ky, Balla, edhe ndonjë tjetër, morën tubat e ujit dhe shkuan ‘në front’. Bënë edhe video e foto dhe i nisën në mediat sociale me qëllim që t’i shikojë ai lart… Sa për interesin e madh të shuarjes së zjarrit, këtu nuk ka asnjë lidhje. Sepse një njeri i vetëm, qoftë edhe deputet, nuk mund të shuajë asnjë shkrepse, e aq më pak zjarret në pyje. Po ta kishin seriozisht për të shuar zjarre, atëherë do të aktivizonin masat dhe pushtetin lokal… Mirëpo asnjë. Mjafton video në Facebook ose në Twiter.

2.

Dikush tjetër që ka shpresë për në administratë.

Ministri i Brendshëm, Demiraj, i cili vjen nga radhët e opozitës si pjesë teknike e qeverisë, është parë sot i vetëm, me lopatë në dorë, duke shuar zjarrin në Krastë të Elbasanit. Fare i vetëm, si një qytetar që i ka rënë rruga. Në të dy rastet që përmendëm ka pak ‘kinezëri’ nga lloji i “Ushtarit të mirë Lei Fen” që i i vetëm i bënte të gjitha veprat e mëdha për popullin. Por e lëmë këtë. Zjarret i shërbejnë ministrit për t’i dhënë një sinjal kryeministrit se ‘ja ku jam’. Vetë partia-mëmë (PD) e ka qortuar këto ditë zotin Demiraj për qasjen në qeverisje, sepse ka deklaruar in-extremis se ‘nuk ka më drogë’ në vendin tonë. Por edhe parulla lajkatare e ministrit e kishte një qëllim: Thjesht për të qenë i mirë me qeverinë; edhe pse është qeveri e ‘kundërshtarit’ politik. Por siç edhe po tregojnë, zoti Demiraj po tenton me gjitha mënyrat që të mbetet në administratën e qeverisë ‘armike’. Në partinë e vet nuk shikon shenja se mund të marrë pushtet ndonjëherë. Po të mos binin edhe zjarret, ministri e pa veten të djegur! Mirëpo ja që i erdhi fati…, dhe ai mori lopatën i vetëm dhe bëri foto e video. Kësaj here, me siguri do ta vërë re kryeministri kudo që të ndodhet. .

4.

Dikush që po tenton të formojë opozitë.

Lëvizja Socialiste për Integrim është betuar se do të bëjë opozitë të fuqishme. Mirëpo qëlloi gushti mu në ballë të premtimit: Ata që shkuan me pushime- nuk janë këtu; por edhe ata që po i kalojnë pushimet në shtëpi, nuk e kanë mendjen. Me çfarë do ta bënte opozitën LSI sikur të mos binin zjarret?! Mirëpo edhe këta me fat… Kryetari i Grupit Parlamentar, zoti Vasili, ka thënë fjalë shumë të mëdha kundër qeverisë sot. I ka kujtuar kryeministrit nja fjalë të rëndë popullore se ‘Shqipëria digjet, dhe (dikush krihet)’. Thëniet nga LSI kanë qenë si bomba…, por që nuk shuan asnjë pikë zjarr. Vetë ministri i Brendshëm, Demiraj, sapo ka shkruar në statusin e tij se ‘xhan- xhin njeri nuk ka në punën për shuarjen e zjarreve’…. Po populli nuk ka pse del në shuarjen e  zjarreve, ai nuk ka pikë interesi që të dalë në Facebook.

5.

Dikush që ndodhet në qeveri, por nuk di çfarë të bëjë…

Edhe ky shpëtoi nga djegia vë për arsye se ranë zjarre… Që në mëngjes ministri i Punëve të Jashtme Bushati, ka lajmëruar se do të ‘flasë’ me ministrin grek e ndoshta edhe italian që të na dërgojnë ndonjë helikopter… (Sikur në Greqi nuk bien zjarre këto ditë!). Sidoqoftë, ministri e jep lajmin pikë- pikë. Se po ta lëshojë lajmin menjëherë, atëherë ndodh si me ujin e helikopterëve mbi zjarret në pyje; uji i kovës së lajmit derdhet menjëherë. Por ministri nuk është ashtu. Ministrat kanë mësuar si mbahet pushteti: Duke qëndruar në ministri si roje i vetëm i godinës, por duke shkruar në Facebook se ‘po flet me ministrat’ e huaj për zjarret tona- kështu shpëton nga djegia…

… Të gjithë janë me fat këto ditë gushti, si ata që shkuan me pushime, aq më tepër ata që patën shansin të bjerë zjarri.

Veritas.com.al/