Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë takimit që e pati dje me këshilltarin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se John Bolton është shprehur se SHBA-ja është e gatshme të dëgjojë propozime të reja për çështjen e Kosovës.
Daçiq thotë se këshilltari i Donald Trumpit i ka thënë atij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të dëgjojnë “argumentet e Serbisë” për Kosovën, siç thotë Daçiq, përcjell Express.
Daçiq beson se ndryshimi i madh që erdhi në administratën amerikane, vjen deri te kjo deklaratë e këshilltarit të Trumpit.
“Deri dy vjet më parë, kur flisja me dikë, thoshin se kjo është çështje e zgjidhur, por tani ata thonë se duhet të ketë një kompromis”, tha Daçiq në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Siç tha Bolton, ai vetë e përdori këtë term, se politika e jashtme amerikane në periudhën e mëparshme, domethënë para Trumpit, ishte drejtuar nga një autopilot”, u shpreh Daçiqi t’i ketë thënë Bolton.
“Për herë të parë, këtu i citoj fjalët, ata janë të gatshëm të dëgjojnë zgjidhje krijuese për problemet e mundshme, duke përfshirë Kosovën. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne, dhe është shumë e rëndësishme të ketë konsensus në Washington”, tha Daçiq
Veritas.com.al/