
Situatë kritike nga zjarret vijon të mbetet edhe në Poliçan. Në një postim në Facebook Bashkia e këtij qyteti bën të ditur se këto janë orë të vështira në luftë me flakët për mbrojtjen e jetëve njerëzore, shtëpitë e banimit si edhe pyjet e kullotat të cilat kanë dëme të konsiderueshme!
“Orë të vështira në Bashkinë Poliçan, në luftë me flakët e betejën e vështirë për mbrojtjen e jetëve njerëzore, shtëpitë e banimit e gjithçka mundemi për pyjet e kullotat të cilat fatkeqësisht kanë dëme të konsiderueshme! Falënderojmë me zemër të gjitha ekipet zjarrfikëse, forcat e Ushtrisë, Ministrin e Mbrojtjes si dhe çdo punonjës dhe vullnetar që na u bashkua dhe ndihmojë në vënien në kontroll të flakëve!”, njofton bashkia e Poliçanit.
Sipas saj situata mbetet problematike me vatra aktive në lagjet Plirëz, Prokucë, në lagjen Perrik, Balli e Gojkë të fshatit Mbrakull, në të cilat janë vendosur ekipet zjarrfikëse dhe gjithë punonjësit e Bashkisë Poliçan!
“Kjo nuk është një betejë e lehtë, aq më tepër në terrene të vështira, me temperatura ekstreme dhe në kushtet kur era favorizon përhapjen e flakëve. Të gjitha forcat janë në terren dhe do të vijojë pa u ndalur ndërhyrja nga toka e ajri për të neutralizuar çdo vatër zjarri. Mbështetje dhe falënderim për të gjithë punën dhe përpjekjen e jashtëzakonshme që po bëni!”, thuhet në postimin e Bashkisë së Poliçanit.
Komente