Nga: Robert Goro/

Droga që u kap para disa ditësh në afërsi të ishullit të Kretës, dyshohet se mund të destinohej për të financuar terrorizmin.

Anija rimorkiator me 6,2 tonë kanabis u ndalua mesjavën e kaluar, pasi kishte lundruar nën survejimin e shërbimeve inteligjente greke dhe të huaja.

Policia bregdetare greke ka publikuar edhe një video nga ky operacion, që u zhvillua në bashkëpunim me Europolin dhe drejtorinë e doganave franceze.

Një anije patrullimi greke, që mbështetej nga një avion i agjencisë europiane të kufirit, Frotenx, e lokalizuan rimorkiatorin në një distancë 50 milje nga pjesa jugore e ishullit të Kretës.

Edhe pse rimorkiatorit i dolën përpara komandos të forcave speciale, u desh të hidheshin disa të shtëna paralajmëruese që anija të ndalonte.

I gjithë ekipazhi i rimorkiatorit, i përbërë nga 6 shtetas sirianë u arrestua.

Të gjashtë ata do të paraqiten në hetuesi këtë të hënë.

Në vende të ndryshme të rimorkiatorit, në zgafella të posaçme ishin fshehur 241 paketa me kanabis të përpunuar në formë çokollate. Pas peshimit, rezultoi se pesha e drogës 6.178 kilogramë, sasia më e madhe që është kapur ndonjëherë në Greqi .

Sipas policisë bregdetare, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet në 70 milionë euro.

Trafikimi i një sasie kaq të madhe droge si dhe vlera e saj, kanë zgjuar dyshimin se fitimi do të mund të destinohej për të financuar grupe terroriste në Lindjen e Mesme.

Vitin e kaluar, shërbimet europiane të sigurisë kishin organizuar operacionin në shkallë të gjerë me emrin e koduar “Rose of the Winds” –(Trëndafili i erërave), ku ishin sekuestruar 100 tonë kanabis.

Vetëm në një anije në ujërat e Libisë, ishin sekuestruar 19,6 tonë kanabis. “Nga itinerari i parave dhe i drogës, si dhe nga nacionaliteti i trafikantëve, rezulton se një pjesë e të ardhurave nga trafiku i drogës përfundoi në financimin e grupeve terroriste”, nënvizohej në një komunikatë të Europolit për kapjen e kësaj sasie.

Për operacionin e Kretës, një burim nga policia europiane citohet t’i ketë thënë shtypit grek se “paraqet interes fakti se pjesëtarët e ekipazhit ishin sirianë, por edhe fakti që droga duket se është ngarkuar në kufirin Turqi-Siri”.

Veritas.com.al/