Kontrolli i Lartë i shtetit urdhëron zhdëmtimin e arkës së shtetit nga 44 diplomatë të ministrisë së Jashtme të cilët kanë përfituar të ardhura nga lista e pritjes.

44 diplomatëve u kërkohet të kthejnë 15,833,657 lekë në arkën e shtetit, raporton newsbomb.al.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një urdhri të firmosur prej tij kaloi në vitin 2014 në listë pritje edhe zyrtarë me statusin e diplomatit që shërbenin në këtë dikaster ose në misione për 17-20 vjet.

Por ndërsa rrinin në listën e pritjes për t’u emëruar më pas në pozicionet e tyre, 44 diplomatët kanë vazhduar të paguhen. Ndërkaq, sipas KLSH, që i referohet LIGJIT për “Për statusin e nëpunësit civil”, termi “Listë pritje”, nuk ekziston por Bushati megjithatë ka vazhduar t’i paguajë në kundërshtim me ligjin.

“Pagesat e kryera nga MPJ për punonjësit në “Listë  pritje” është në kundërshtim me ligjin e mësipërm dhe vlera prej 15,833,657 lekë (Mars 2014 deri mars 2015) përbën dëm ekonomik për Institucionin dhe duhet të arkëtohet”, thuhet në raportin e KLSH.

Sakaq, ka reaguar Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë lidhur me vendimin e KLSH, duke kujtuar se asnjë punonjës i vendosur në listë pritjeje – jo për faj të tyre – nuk mund dhe nuk duhet të paralizohet financiarisht.

“Detyrimi për të zhdëmtuar arkën e shtetit është në kundërshtim me kodin e punës, detyrimet dhe të drejtat e çdo të punësuari në administratën shtetërore, dhe përgjegjësitë duhet të kërkohen vetëm tek shkaktarët apo vendimmarrësit.

Kujtojmë se, trajtimi dhe implikimi në rrugë gjyqësore individuale për çdo punonjës të MEPJ-së i këtij urdhri do të ishte jo korrekt nga strukturat drejtuese të MEPJ-së, që duhet të marrin përgjegjësinë ligjore dhe institucionale për t’a ndjekur deri në fund kundërshtimin e këtij urdhri”, thuhet në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Veritas.com.al/