E tronditur nga ajo që po i ndodh, gruaja e shoferit Agim Çeka, njërit prej të arrestuarve për milionat e gjetura në makinat Toyota Yaris, ka shpërthyer në lot këtë të enjte gjatë seancës gjyqësore në Durrës.
Agim Çeka ishte drejtuesi i kamionit në të cilin do të transportoheshin makinat e mbushura me rreth 3.6 mln euro. 61 vjeçari është lënë në burg me vendim të gjykatës së Durrësit këtë të enjte, një fakt që nuk është pranuar nga gruaja e tij e cila ka shpërthyer në lot.
Gruaja e Agim Çekës është shfaqur me të bijën në seancën e gjyqit, por menjëherë sapo ka parë të shoqin të prangosur ka nisur të qajë. Autoritetet e kanë larguar nga salla.
News24 ka postuar një video ku gruaja në moshë, teksa qan, shprehet se burri i saj nuk ka të bëjë fare me milionat e gjetura në makinat Toyota dhe se deri para një muaji ai ishte i papunë.
“Burri im ka qenë i papunë. Kishte një muaj që kishte filluar. E shkreta unë ç’më gjeti! Ku do gjej para ta nxjerr nga burgu?! Burri im nuk ka lidhje me lekët. I thotë pronari ik atje, hajde këtu atë bën. Ku do vemi ne? Hajdeni shikoni shtëpinë, ne jemi copë-copë, s’kemi ça të hamë. Le të kapin ata që e kanë bërë këtë punë. Kush do ta nxjerrë tani nga burgu burrin plak. Ne s’kemi lekë të hamë bukë jo ta nxjerrim nga burgu”, tha bashkëshortja e Agim Çekës me lotë në sy.
Veritas.com.al/