Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po shfaqin këto ditë shenja nervëzimi, padurimi dhe paniku, pasi për herë të parë në historinë e tyre 15-vjeçare, nuk po shpërndajnë dot paratë korrupsionit dhe të krimit, për të blerë vota në zgjedhjet e 25prillit, me qëllim për të siguruar mandatet e nevojshme, për t’u bërë pjesë e qeverisë së ardhshme me PD apo PS, dhe për të vijuar avazin e vjedhjeve të fondeve publike.

Siç e kemi paralajmëruar në disa shkrime të mëparshme, një skuadër speciale me agjentë të huaj dhe shqiptarë, pjesë e Policisë së Shtetit, është ngritur që prej disa javësh dhe po monitoron çdo lëvizje, natën dhe ditën, të bandës së Ilir Metës, në transferimin e parave të pista për të blerë vota, siç ka operuar në çdo zgjedhje. Para ngritjes së skuadrës speciale, me kërkesë të SHBA-BE, Parlamenti ndryshoi Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, duke kaluar të gjitha krimet zgjedhore në kompetencë të SPAK, që është edhe makthi më i tmerrshëm për bandën e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Disa ditë pas hedhjes në veprim të skuadrës speciale, grupi zgjedhor i Ilir Metës në Durrës, u alarmua kur gjeti përgjues dhe kamera të fshehta në çdo zyrë elektorale të LSI. Disa ditë më pas, në Durrës zbarkoi Ilir Meta, duke lëshuar kërcënimet e radhës. Në fund të javës që kaloi, skuadra speciale goditi një grup të LSI-së në Pukë, duke e kapur në flagrancë tek shpërndante para të pista për blerje votash. Ndërsa Ilir Meta nga Tirana kërcënonte me prerje dore këdo që blinte vota, banda e tij në Pukë vazhdonte natën dhe ditën, në fshehtësi, duke shpërndarë para të pista, që kanë dalë nga Gjiri i Lalzit për të blerë vota.

Në ditët në vijim, Meta pritet të zbarkojë në Pukë, për t’i dhënë zemër bandës së tij, lëvizje të cilën sigurisht që do ta kamuflojë me shpërndarjen e ndonjë dekorate.

Nga burime tepër të sigurta dhe konfidenciale, mësohet se skuadra speciale ka identifikuar dhe po mban nën vëzhgim në një perimetër të caktuar, të paktën 15 baza në të gjithë Shqipërinë, ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë dislokuar thasët me para, të planifikuara për t’i hedhur në fushatë, disa ditë para zgjedhjeve, për të blerë vota.

Thasët me para kanë dalë natën nga zona e Gjirit të Lalzit dhe janë transportuar në bazat përkatëse. Përveç bazave, nën monitorim të rreptë po mbahen edhe përfaqësuesit e Ilir Metës, të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave të korrupsionit dhe krimit.

Sipas burimeve, disa nga bazat e zbuluara dhe që po mbahen nën vëzhgim janë në Durrës, Kamëz, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë.

Nisur nga këto zhvillime, në ditët në vijim priten ndërhyrje energjike në disa nga bazat përkatëse, shoqëruar me arrestime të bujshme, ndërsa dosjet do të kalojnë në duart e SPAK.

Ashtu si për rastin e Pukës, ku LSI tha se shpërndarja e parave në zgjedhje ishte thjeshtë një ushtrim zgjedhor, edhe për rastet në vijim do të dëgjojmë alibi qesharake nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

VERITAS.COM.AL