Sot ne Kuvendin e Shqiperise, 24 orë do të vihen në dipozicion për mocionin me debat me kryeministrin Edi Rama, për çështjen McGonigal. Grupi parlamentar i PS do të ketë 750 minuta në dispozicion, 350 minuta do jenë për PD, 70 minuta për grupin parlamentar ‘Aleanca për ndryshim’, 80 minuta për ‘Drejtësi dhe Integrim’, 30 minuta për Partinë e Lirisë dhe e njëjta kohë do të jetë në dispozicion për deputetët e PSD.

Në sallën e seancës plenare sot pritet të rikthehen Sali Berisha me një grup të deputetëve të Rithemelimit, të cilëve u ka përfunduar afati i përjashtimit për shkak të seancave të shkuara kaotike. Por në Kuvend do të mungojnë 4 deputetë, Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti dhe Oerd Bylykbashi që seancën e 16 shkurtit përfunduan deri në shkuljen e mikrofonit të foltores, që nga ministrja Elisa Spiropali u komentua me ironi.

Opozita ka refuzuar më herët zhvillimin e interpelancës për ish-agjentin e FBI që kryeministri Rama ia delegoi ministres Spiropali dhe paralelisht po kërkojnë edhe ngritjen e një komisioni hetimor. Në seancat e fundit kaotike opozita ka kërkuar prezencën e kreut të qeverisë, i cili pritet t’u japë përgjigje sot në këtë seancë që socialistët kanë paralajmëruar se do të nxjerrë në pah të vërteta të mëdha.