Në Shqipëri tregu i karburanteve po has në luhatje të vazhdueshme. Çmimet në tabela kanë rënë me 15 lekë/litër nga niveli rekord i 260 lekëve dhe kjo duket se vjen si reflektim nga bursat.
Kjo ulje e menjëhershme në bursa vjen pas deklaratës së Emirateve të Bashkuara se do të shtojnë furnizimet e naftës në tregun ndërkombëtar, për të kompensuar fuçitë që la Berisha.
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se për tregun e hidrokarbureve që në datën 25 shkurt ,kur çmimet qëndronin në nivelin e 192 lekëve ka nisur një hetim paraprak për të vlerësuar nëse pikat e karburanteve kanë rritur në mënyrë të koordinuar çmimet.
Në deklaratën e saj AK thekson se nuk mund të ndërhyjnë dot për të ulur çmimet dhe si institucion ligji i ka dhënë kompetenca vetëm për të hetuar nëse tregu është me konkurrencë të lirë apo oligopol, ku kompanitë bashkëpunojnë në mënyrë të fshehtë me njëra-tjetrën për të fiksuar çmimet.
Në lidhje ndryshimet e befta të çmimit, Shoqata e Hidrokarbureve Shqiptare është shprehur se zhdoganimi i rezervave të sigurisë që mbahen sipas ligjit bëhen me çmimet e bursës dhe prandaj kjo reflektohet menjëherë në pikat e benzinatave.
Hetimet sipas Autoritetit për tregun e hidrokarbureve bëhet për periudhën nga 1 janari deri në 25 shkurt, ndërsa do të duhen edhe disa muaj përpara se të dilet në konkluzione. Duhet rikujtuar se Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një vendim që u kontestua ashpër edhe nga deputetë sa i përket hetimit për tregun e miellit, ku pas hetimeve disa vjeçare vendosi se nuk kishin kryer shkelje në veprimtarinë e tyre.