Ditën e sotme dhe të nesërme nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes do të mund të vaksinohen qytetarët mbi 18 vjeç.

 Nismën e vaksinimit të hapur që Ministria e Shëndetësisë shpalli të shtunën për vaksinimin e qytetarëve mbi 18 vjeç e kanë mirëpritur mbi 4 mijë qytetarë që deri paraditen e djeshme kanë aplikuar në e-Albania për t’u bërë pjesë e procesit.

Ata do të kenë mundësi të marrin dozat e një prej vaksinave që aplikohet në vendin tonë në dy ditët e hapura, më 29 dhe 30 qershor.

24040 vaksina anticovid kanë mbërritur një ditë më parë në vendin tonë, ndërkohë në total deri më tani kanë ardhur 1,103,690 doza.

 “24,040 vaksina anticovid sapo kanë mbërritur në Shqipëri. Në Aeroportin “Nënë Tereza” mbërritën sot 14,040 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare si dhe mbështetjes së Bashkimit Europian, ndërsa në mbrëmje mbërritën në IShP edhe 10,000 doza të vaksinës AstraZeneca, mbështetje e Qeverisë së Kroacisë për vendin tonë. 1,103,690 doza vaksine anticovid kanë mbërritur deri tani , teksa nesër nisin dy ditët e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç”, tha Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu një ditë më parë.

VERITAS.COM.AL