Zhurma e krijuar nga opinionet e shumta rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që ka ardhur si kërkesë imediate e përforcuar edhe nga letra a dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, pritet të marrë formë konkrete këtë të martë pas takimit që është thirrur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Albanian Post ka mësuar se takimi do të fillojë në orën 10:00, derisa një deklarim për media do ta ketë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, rreth orës 14:00, kur edhe pritet të përfundojë ky takim.

Thirrjes së ambasadorit Hovenier i janë përgjigjur pozitivisht të gjithë të ftuarit.

Nga Qeveria e Kosovës është bërë e ditur se do të përfaqësohet nga zëvendës-kryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, bashkë edhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, kurse nga Zyra e Kryeministrit, pjesëmarrjen e ka konfirmuar shefi i Kabinetit, Luan Dalipi.

Në një njoftim të shkurtër për media, edhe presidenca e Kosovë ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Nga Parlamenti i Kosovës po ashtu është thënë se do të jenë pjesë e takimit.

Në një përgjigje të shkurtër për Albanian Post, shefi i kabinetit të kryetarit Glauk Konjufca, Iilir Kërçeli, ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Po edhe ne do marrim pjesë”, ka thënë ai shkurt për Albanian Post.

Aktualisht qëndrimet janë të paqarta edhe nga partitë opozitare, por sidomos nga Qeveria e Kosovës.

SHBA-të dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë themelimin e Asociacionit duke u thirrur në Marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel si pajtimi i parë për funksionalizimin e një mekanizimi të tillë që bazën fillestare e ka te propozimi i presidentit Marti Ahtisaari, përmes të cilit erdhi edhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Më vonë, në vitin 2015 do të nënshkruhej edhe një marrëveshje tjetër, e cila do të quhej e Parimeve. Një nga parakushtet për themelimin e Asociacionit ishte dërgimi në Gjykatën Kushtetuese dhe gjykata pranoi formimin, por gjeti largim nga fryma kushtetuese në më se 20 vende.

Bartëse të këtij procesi negociator ishin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, por liderët aktualë të këtyre dy partive, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi, nuk është se janë pozicionuar fuqishëm në mbrojte të nënshkrimit të dikurshëm.

LDK në një deklaratë për media para takimit të sotëm, ka shkruar se themelimi i Asociacionit është një përgjegjësi me të cilën duhet të merret vetëm Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, vetë Qeveria, e prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka dhënë një mendim krejtësisht të qartë se cili është qëndrimi.

Kurti, që opozitën e kishte ndërtuar kryesisht rreth kundërshtimit të Asociacionit, tani nuk është se e refuzon atë kategorikisht, por ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të mos shkohet së pari me themelimin e Asociacionit, por që Asociacioni të bëhet pjesë e përgjithshme e Marrëveshjes Bazë.

Kërkesë kjo e shpërfillur nga komuniteti ndërkombëtar, duke u thirrur në parimin e së drejtës ndërkombëtare “Pacta sunt servanda” (marrëveshjet duhet të zbatohen).

Paralel me këtë zhvillim zyrtar, në rrjete sociale – udhëhequr nga anëtarë të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje e militantë – ka filluar një fushatë linçuese kundrejt dy krye-neogciatorëve perëndimorë, Miroslav Lajçakut të Bashkimit Evropian e Gabriel Escobar-it të SHBA-ve.

Akuza me të ndryshmet deri tek ato se “janë të paguar nga Serbia” janë derdhur në adresë të dy diplomatëve.

Madje, një fushatë jo zyrtare të cilës tashmë i janë përpunuar edhe posterë, ka filluar në rrjete sociale ku kërkohet protestë masive në “mbrojtje të qeverisë nga presioni perëndimor”./AP/