Përpara trupës së KLP-së, kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë bilancin e institucionit që ai drejton përgjatë 2023., teksa është ndalur edhe te mënyrat e përdorura nga institucioni që ai drejton në kuadër të hetimeve për çështje të ndryshme, për të cilat është dashur aplikimi i përgjimeve telefonike.
Kështu, në analizën e plotë të publikuar nga Altin Dumani thuhet se, ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit proaktiv, në rastin e përgjimeve telefonike, por është rritur gjithashtu edhe aplikimi i metodave të posaçme te hetimit si: vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestro i provave materiale, letër porosi, agjentë të infiltruar etj.
“Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 186 procedime penale ku janë interceptuar 3335 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim), ku vërehet rritje krahasuar me vitin 2022.
Në vitin 2023, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 109 procedime penale ku janë interceptuar 1436 pajisje fundore, nga 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore, të aplikuara ne vitin 2022.
Ndërkohë për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 77 procedime penale, ku janë interceptuar 1899 pajisje fundore, nga 53 procedime penale janë interceptuar 1154 pajisje fundore, të aplikuara në vitin 2022.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK, prezantuar nga Altin Dumani.