Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), ka kërkuar dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me 12 vjet burg.

Po e njëjta kërkesë është bërë edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Në seancën gjyqësore të 31 janarit, ish-ministri kërkoi pafajësinë. Gjithsesi, për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK-u e ka çuar kërkesën e dënimit në tetë vjet burg.

Seanca momentalisht është ndërprerë për shkak të ikjes së dritave. Ndërsa, pas ardhjes së tyre, pritet të rifillojë dhe të jepet vendimi.

Ajo po zhvillohet pranë Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit GJKKO.

Çështja Tahiri

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë GJKKO më 26 Nëntor 2021. Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit te dates 26 qershor 2020 te Apelit te GJKKO dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.

Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që nuk mund të merrnin pjesë në gjykim.

Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë./ Albanian Post/