Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin, të cilët u kapën vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Në njoftimin e SPAK thuhet se Beleri dhe Kokaveshi ofronin 50 euro për votë, ndërsa ata u arrestuan duke i dhënë paratë Arsen Ramës.

Ndërkaq të dy të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim.

“Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.

Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka bërë të mundur sekuestrimin e laptopëve, celularëve dhe gjithë dokumentave apo kamerat e sigurisë në ambientet e një lokali ku është dhënë shuma për blerjen e votave”.

Ndërkohë në lidhje me arrestimin e tij ka pasur edhe reagime të shumta nga pala greke, të cilët kanë kërkuar që në fillim lirimin e tij.