
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet lidhur me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024, ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe personave të tjerë të përfshirë. SPAK tashmë e ka dërguar dosjen për gjykim në GJKKO.
Kryebashkikau Veliaj përballet me 13 akuza; SPAK e akuzon atë për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në 9 raste. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë. “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa përballet me 12 akuza; SPAK e akuzon atë për “Korrupsion pasiv” në 9 raste. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “Refuzimi për deklarimin, ose deklarimi i rremë i pasurive” dhe “fshehja e të ardhurave”.
“Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të”, njofton SPAK.
Gjithashtu SPAK akuzon si të përfshirë në skemën korruptive edhe 15 persona të tjetër; Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci.
“Nga provat e administruara ka rezultuar gjithashtu e provuar se këta të pandehur, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim me OJF-të e përmendura dhe persona të tjerë, më shumë se një herë, kanë integruar në sistemin bankar shuma monetare të siguruara si përfitime të parregullta, për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë. Depozitimi i këtyre shumave duke fshehur ose mbuluar natyrën e vërtetë të pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal, ka bërë që të përmbushen plotësisht elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas paragrafit të dytë.”, njofton SPAK.
Komente