Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për Fredi Belerin, i cili akuzohet për korrupsion aktiv ne zgjedhje. Brenda 10 ditëve Beleri do përballet me Gjykatën e Posaçme, për rivlerësim të masës së sigurimit.
Kujtojmë që Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për korrupsion aktiv në zgjedhje. Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar. Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë.
Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik para se të arrestohej, në javën e fundit të fushate. Shkak u bë një deklaratë e tij për një gazetë greke, ku përmendi një plan për helenizimin e Himarës. Këtë ai e mohoi më vonë duke thënë se ishte bërë një përkthim i gabuar.