Fill pas prezantimit të kandidaturës së mazhorancës për President, Gjeneral Major Bajram Begaj në media qarkulloi një lajm, ku shkruhej se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur një hetim ndaj tij.
Por, SPAK në një përgjigje për Albanian Post ka theksuar se nuk ka asnjë hetim ndaj kandidatit për President të Shqipërisë.
Kështu Prokuroria ka përgënjeshtruar lajmin se ndaj tij ka një hetim pas kallëzimit nga ish-zëvendëskomandanti i forcës detare, Artur Meçollari.
Zgjedhja e Begajt
Pas mbledhjes së Kryesisë socialiste, kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetar i selisë rozë, Edi Rama, bëri publik emrin e kandidatit zyrtar të mazhorancës për President të Republikës së Shqipërisë.
Për kryeministrin, Begaj është “shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi, për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente”.
Rama shpjegoi se, në fillim, janë përjashtuar emrat e ardhur nga grupi parlamentar dhe ato të ardhur nga jeta politike.
“Ne duhet t’u japim shqiptarëve një president që nuk ka karrierë në PS”, tha Rama.
Në mbledhje u diskutua mbi një listë prej 26 kandidaturash të propozuara nga ligjvënësit socialistë.
Ndërsa, fill pas publikimit të emrit, Rama e priti Begajn në zyrën e tij pranë Kryeministrisë.
Begaj e ka mirëpritur dhe e ka pranuar pozicionin e dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë.
Ai theksoi se, nëse do të votohet, do ta bëjë me “lartësinë e duhur detyrën si President i shqiptarëve”.
Kush është Bajram Begaj?
Gjeneral Major Bajram Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë.
Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Begaj ka qenë përgjegjës për mbarëvajtjen e të gjithë atmosferës stërvitore. Në përfundim, jo vetëm që gjithçka u vlerësua maksimalisht dhe pati sukses, por i hapi rrugën një sërë ngjarjesh të tjera shumë të rëndësishme në Shqipëri.
Pikë së pari, vendi ynë është një kandidat potencial shumë i fuqishëm për mikpritjen e një tjetër stërvitjeje ushtarake shumë të madhe, siç është “Defender Europe 2023”.