Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka denoncuar në rrjetet sociale SPAK-un, pasi sipas tij ka penguar në mënyrë të dhunshme kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e PL-së Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Sipas tij kjo bëhet në shkelje flagrante të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke e akuzuar Strukturën e Posaçme si vegël të Ramës, që nuk mund të tolerohet.
“Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët. Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “vegël qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes”. Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet”, shkruan Blushi krahas fotos së Dules dhe Belerit jashtë burgut.
Blushi u bën thirrje “të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!”.
Komente