Prokuroria e Posaçme SPAK, përmes një njoftimi për mediat, ka bërë me dije se i pandehuri Nuredin Dumani nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, siç pat dëshmuar gazetari investigativ, Artan Hoxha, në një dalje televizive në emisionin Opinion.
“Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.
Sipas Hoxhës, Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë ka dëshmuar se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti socialist.
Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.
Ai u arrestua më 29 mars pas një shkëmbimi me armë zjarri në periferi të Elbasanit.