Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka sqaruar një urdhër të mëparshëm për ndalimin e publikimeve të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, duke theksuar se ky vendim shkon vetëm për një gazetar të caktuar dhe jo për gjithë gazetarët.
Sipas njoftimit nga SPAK, interpretimet mbi urdhrin e lëshuar me firmën e tre prokurorëve të strukturës, përfshi numrin dy të Prokurorisë, Altin Dumani, kanë qenë të gabuara, pasi nuk bëhet fjalë për të gjithë gazetarët.
“Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa të dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal‘arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022”.
Madje, prokuroria po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek personat që më pas e kanë publikuar atë.
Arsyeja për këtë gjë, është vënia përpara përgjegjësisë e personave që e kanë thyer sekretin hetimor.
Çfarë konfirmoi SPAK për Albanian Post?
Tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë firmosur një urdhër, sipas të cilit ndalohet publikimi i dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.
Kështu ka konfirmuar SPAK për Albanian Post mëngjesin e 16 qershorit.
Dumani dhe Hoxhaj janë tashmë të penduar të drejtësisë dhe kanë rrëfyer një mori krimesh që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit në Shqipëri.
Që pas arrestimit të Dumanit, në media u publikuan dhjetëra dëshmi mbi vrasjet e kryera dhe ato të mbetura në tentativë.
Po ashtu kanë qarkulluar implikime të politikanëve dhe biznesmenëve.
Prokurorët e SPAK-ut kanë ndërmarrë vendimin në fjalë, duke “kërcënuar” mediat dhe gazetarët se, nëse publikojnë të dhënat, do të dënohen me 5 vite burg sipas parashikimeve të nenit 195/a i Kodit Penal.
Sipas SPAK, është përgatitur dy ditë më parë dhe është firmosur nga Prokurorët Doloreza Musabelliu, Altin Dumani e Behar Dibra.
Dosja me dëshmitë e Dumanit rrodhi nga SPAK në media përmes vetë prokurorëve dhe, më pas, u përhap mes gazetarëve, të cilët publikuan dëshmitë e Dumanit dhe Hoxhajt.
Nisur nga kjo, prokurorët e SPAK-ut, që kanë firmosur urdhrin në fjalë, duhet që ta nisin hetimin fillimisht nga kolegët e tyre.
Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars të këtij viti. Ai ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.
Dumani ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e 9 prillit 2019, kur në pistën e aeroportit të Rinasit u grabit një shumë e madhe parash që po ngarkoheshin në avion.
Sakaq, ai akuzohet si personi që ka vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.
Ky i fundit është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Viktor dhe Besmir Haxhia.
Nuredin Dumani ka qenë pjesë e grupit kriminal të Talo Çelës, por pas vrasjes së vëllait të këtij të fundit ata u bënë rivalë.