Deputetët e Sri Lankës kanë zgjedhur kryeministrin Ranil Wickremesinghe si presidentin e ri të vendit, pavarësisht jopopullaritetit të tij në publik.

Zoti Wickremesinghe përballet me detyrën për të nxjerrë vendin nga kolapsi i tij ekonomik dhe për të rivendosur rendin pas muajsh protestash masive.

Ai mundi rivalin e tij kryesor për këtë detyrë, Dullus Alahapperuma, me 134 vota kundër 82 në një votim parlamentar.

Ish-presidenti i Sri Lankës Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi javën e kaluar.

Ai shkoi në Maldive dhe më pas në Singapor pasi mijëra protestues sulmuan rezidencat e tij presidenciale dhe ndërtesat e tjera qeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ata gjithashtu kishin bërë thirrje për dorëheqjen e zotit Wickremesinghe, një aleat i ngushtë i familjes politike Rajapaksa, i cili u emërua kryeministër në maj.
Protestuesit javën e kaluar dogjën shtëpinë e tij private dhe gjithashtu sulmuan zyrën e tij kryeministrore në Colombo në demonstrata kundër udhëheqjes së tij.

Të mërkurën, shumë shprehën dëshpërim dhe zhgënjim për fitoren e tij.

“Unë jam absolutisht i neveritur nga rezultati… Nuk mund të besoj se 134 njerëz – deputetë që supozohet të përfaqësojnë popullin – kanë shpërfillur plotësisht dëshirat e njerëzve,” tha një aktiviste Jeana De Zoysa për BBC.