Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dëshmitari i radhës i thirrur në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.

Beqaj ishte njoftuar të dëshmojë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit për rolin e tij në koncensionin e Sterilizimit.

Kujtojmë se sa i përket ‘Sterilizimit’ Beqaj është nën hetim me masë “detyrim paraqitje”.

Në lidhje me “Sterilizimin”, Prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.

Ditën e djeshme në këtë komision ka dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj (i arrestuar për koncensionin e Sterilizimit).

Që në nisje të dëshmisë, Rrapaj mohoi të kishte njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin tha se për herë të parë e kishte takuar në 22 Nëntor të 2013 në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Koncerteve.

Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, ata janë në masë sigurimi detyrim paraqitje, pasi SPAK i akuzon për falsifikim dokumentesh në procedurën e dhënies së koncesionit në 2015.