Nisja e stërvitjes ushtarake “Defender 2021” u përshëndet dhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Diplomatja amerikane në Tiranë falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë SHBA-së dhe NATO-s në misionet e saj dhe u shpreh se ajo nuk është zgjedhur rastësisht për mbajtjen e stërvitjeve të tilla ushtarake.
“Çfarë dite të lavdishme kemi para nesh. Përshëndes FA dhe Ministrinë e Mbrojtjes për organizimin e kësaj ceremonie. Ky është një raste i rrallë kur 3 gjeneralë me 4 yje grumbullohen në të njëjtën kohë. Roli drejtues i Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënës dhe roli i saj në aleancë vetëm rritet. Shqipëria është mikpritëse e të tilla aktiviteteve më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe kjo gjë nuk është rastësore. Shqiptarët kanë luftuar krah më krah me ne në misionet e aleancës. Kurrë nuk do t’i harrojmë këto sakrifica dhe do të jemi mirënjohës.
E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’ju quajmë aleatë. Shqipëria ofron një bazë të rëndësishme që i jep mundësi NATO-s t’i japë përgjigje emergjencave shpejt dhe në mënyrë efektive. Përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Keni qenë të zëshëm në mbështetjen tuaj për SHBA-në. Kjo stërvitje në Shqipëri është historike në vetvete”, tha ambasadorja Yuri Kim.
VERITAS.COM.AL