Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kjo, pas mbërritjes së tij në takimin që po mbahet mes ministrave të mbrojtjes të NATO-s.
“Ajo që ne shohim është se numri i trupave është rritur dhe shumë të tjerë janë në rrugë”, shtoi ai, duke thënë se ishte i gatshëm për “një zgjidhje politike”.
Ministria ruse e Mbrojtjes, njoftoi dje se disa nga trupat e dislokuara në rajonet kufitare të Ukrainës, kanë filluar të kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.
Agjencia e lajmeve “Interfax” saktësoi se edhe ushtarët e dislokuar në Krime kanë filluar të kthehen në kazermë.
Manovrat megjithatë vazhdojnë në pjesën tjetër të zonave kufitare.
Njoftimi erdhi si shtesë e indikacioneve të dhëna të hënën nga Sergei Shoigu, ministri rus i mbrojtjes.
Zyrtari rus sqaroi se edhe simulimet në Bjellorusi “po përfundojnë gjithashtu”.
Ky ishte sinjali i parë qetësues konkret në nivel ushtarak që erdhi nga Moska, në harmoni me ndryshimin e tonit të hënën nga ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov.
Dje foli edhe vetë Putin-i, i cili shprehu gatishmërinë për “dialog me Perëndimin”.
Reagimi i parë ukrainas ndaj shpalljes së përfundimit të manovrave ishte skeptik.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Kiev-i do t’i besojë depërshkallëzimit vetëm kur të shohë një tërheqje të plotë.
Skeptikë janë edhe amerikanët, sipas të cilëve Rusia mbetet në çdo rast e aftë për të nisur një ofensivë.