Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se e vlerëson rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit apo përmes ndihmës humanitare ndaj Ukrainës.
“Shqipëria është një aleate mjaft e vlerësuar dhe e vlerësoj shumë që takohem sërish me ju”, u shpreh fillimisht Stoltenberg.
“Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni dhe në Bullgari dhe ju po kështu ndihmoni në ndalimin e agresionit ndaj secilit vend të Aleancës”, shtoi ai.
Ish-kryeministri norvegjez nënvizoi se në Samitin e Madrid-it u morën vendime shumë të rëndësishme lidhur me mbështetjen ndaj Ukrainës.
Stoltenberg vlerësoi sakaq edhe miratimin e menjëhershëm të autoriteteve shqiptare për protokollin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Sipas tij, kjo dëshmon se dera e NATO-s – referuar Suedisë dhe Finlandës – mbetet e hapur pasi është jetike në një kohë të paqëndrueshme sigurie.
“Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si edhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare. Vizita juaj e fundit ishte një dëshmi e këtij solidariteti”, deklaroi në përmbyylje shefi i NATO-s.
Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port i cili është në ndërtim e sipër në Adriatik.
Kreu i qeverisë shqiptare zbuloi në një konferencë shtypi se Porto Romano, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.
Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, sipas Ramës.
“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”, nënvizonte kryeministri.
Në muajin maj, Rama zbuloi se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare në Pashaliman.
Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetësesh në vitet ’50 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon.