-Parulla kryesore që hedhin studentët është: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’.-

Në ditën e dytë të protestës së tyre, Studentët e Universiteteve Publike  protestojnë  kundër vendosjes së tarifave për provimet e mbartura.

Pas bashkimit të studenteve nga të gjithë fakultetet dhe marshimit të tyre në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, studentët kanë mbërritur tek godina e Ministrisë së Arsimit. Përveç Tiranës, protestohet edhe në Universitetet e Durrësit, Elbasanit, Korçës. Në Shkodër nuk protestohet sot, por është parashikuar të protestohet nesër në orën 11:00.

Pavarësisht thirrjeve me megafon për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë, disa studentë kanë hedhur vezë dhe letra higjienike.

Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:00 të ditës së sotme që të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre.

“Vendimi për tarifat është i padrejtë dhe diskriminuese. Ne jemi njerëz elitarë dhe presim mirëkuptim. Ne presim që të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë. Kemi kërkuar të takohemi me ministren e Arsimit. Protesta jonë nuk do ndalet. Ne do kalojmë në demonstratë. Kjo është një protestë studentore dhe nuk është politikë. Politikën nuk e bëjmë ne”- thotë një nga studentët.

“Kjo protestë do të dalë mjaft mirë sepse jemi të bashkuar dhe kemi të njëjtin qëllim. Qëllimi jonë është të anulohet vendimi i VKM për të paguar edhe taksën edhe kreditet. Nëse Ministrja nuk plotëson kërkesat tona ne nuk do ndalemi”- thotë një tjetër student.

Veritas.com.al/