Një grup studentësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë reaguar në prag të zgjedhje të drejtuesit të arsimit të lartë. Ata akuzojnë rektorin në detyrë, Artan Hoxha për plagjiaturë dhe kërkojnë që të dorëhiqet nga gara. Po ashtu edhe përfaqësues të Shoqërisë Civile kanë reaguar për procesin e zgjedhjeve.
Rigels Xhemollari, pjesë e “Qëndresa Qytetare”, tha për ABC News se Këshilli i Etikës dhe Senati Akademik po heshtin, ndërsa i bëri thirrje rektorit që të japë dorëheqjen nga gara.
“Reagimi i sotëm është pas një studimit të bërë. Rezulton në masën mbi 50 përqind e vjedhur nga nëj studiuese në Rumani. I kërkojmë rektoratit të Universitetit të dorëhiqet nga gara. Këshilli i Etikës po hesht, pedagogët, dhe kandidatët po heshtin, dhe kjo heshtje është në dëm të studentëve. Duhet shpëtuar nga ky fenomen që ka shqetësuar studiues, i kemi kërkuar Ministrisë së Arsimit që të pezullojë procesin deri sa të zbardhet ngjarja. Nëse ka plagjiaturë të hiqet Hoxha, në të kundërt të vazhdojnë zgjedhjet. Ai vetë ka deklaruar se ka gabuar, por jo se ka vjedhur. Në pesë universitet që janë në Tiranë ka vetëm 1 kandidat. Që do të thotë se do të votohet pro ose kundër. Kjo është situata që është akumuluar brenda universitetit. Unë inkurajoj që të gjithë të shkojnë në votime, mund edhe të votojnë kundër. Do e inkurajoja vetë rektorin, që nëse ka integritet akademik të japë dorëheqjen. S’mundet që një diplomë të ketë firmë e tij dhe kjo firmë të mbajë brenda një vjedhje të madhe. Ne jemi kërkuar formularin anti-plagjaturë që kanë firmosur kandidatët. Këtë formular do ia lëmë Prokurorisë dhe Gjykatës për të gjykuar nëse është e vërtetë apo jo.”, u shpreh ai.