Agjensia për Median dhe informim ka reaguar në lidhje me sulmet e paprecedenta kibernetike ndaj faqeve të shërbimeve qeveritane në vend.
Të dhënat e qytetarëve janë ruajtur të sigurta falë pikasjes dhe reagimit të menjëhershëm të stafeve përkatëse në bashkëpunim edhe me ekspert të Microsoft.
Me sulme të ngjashme janë përballur edhe vende të tjera të rajonit dhe Europës.
MIA sqaron qytetarët se nuk ka vend për polemika politike dhe të gjitha të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura.
“Mesditën e së premtes, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infratrukturat qeveritare, u vu re një sulm kibernetik kompleks dhe në shkallë të gjerë. Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.
Metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Hollandë, Belgjikë dhe vënde të tjera të rajonit. Vetëm në Ukrainë këtë vit ka pasur 5 sulme me të njëjtën metologji, ndërsa në Gjermani i njëjti lloj sulmi ka nxjerrë jashtë funksioni impjantet e prodhimit të energjisë me erë.
Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomëare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike. Hapi i dytë i këtij sulmi të përqëndruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Fatmirësisht dedektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura. Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Dedektimit dhe Përgjigjies ndaj Incidienteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e “Jones Group International” janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet.
Sistemet qeveritare kanë të gjitha back up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë.
Paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gadishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura.
Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt.