Pjesëtarë të KFOR-it hungarez, të EULEX-it, karabinierë italianë, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë duke monitoruar për së afërmi situatën në Varage të Zubin Potokut.

Gjendja këtu paraqitet e qetë dhe më stabël, pas riparimit të tubave të ujit.  Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi. Kjo u bë pasi gjatë ditëve të fundit pati disa incidente. Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit. Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Ndërkohë ka ardhur dhe reagimi nga Serbia. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka reaguar për shpërthimin në Zubin Potok duke kundërshtuar pretendimet e Kurtit, teksa tha  se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.

Ai tha se Serbia kërkon që të mbahen përgjegjës kryerësit e këtij sulmi dhe se është e gatshëm të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.

“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriç në një reagim në X.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *