Njëra nga zyrat elektorale të Partisë Socialiste në Berat është goditur me gur. Bëhet fjalë për zyrën e PS-së në lagjen “30 Vjetori” që ndodhet në anë të rrugës kryesore të qytetit.
Dera e jashtme e kësaj zyre elektorale është thyer, duke u qëlluar me gurë. Thyerja është konstatuar rreth orës 07:30 të mëngjesit dhe pas konstatimit është njoftuar policia. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët janë duke kryer veprimet se si është goditur dera kryesore e kësaj zyre.
Nuk dihet ende nëse thyerja e derës së jashtme të kësaj zyre është bërë në mënyrë të qëllimshme apo nga ndonjë person i dehur gjatë natës.
Mësohet se policia është duke sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth për të identifikuar edhe personin që ka goditur me gurë zyrën, ndërkohë që nga ana e drejtuesve të Partisë Socialiste të Beratit nuk ka ende asnjë reagim në lidhje me këtë ngjarje.
Me pare janë sulmuar zyrat elektorale të Partisë Socialiste dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në Fier. Në lagjen “1 Maj” Fier, në rrugën “Jani Bakalli” dhe pranë poliklinikës, nga ana e shërbimeve të Policisë së rendit, janë konstatuar të dëmtuara me gur dy xhama të zyrave elektorale të këtyrë subjekteve politike. Pas incidentit në Fier, një banderolë e PS e vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit është djegur.
VERITAS.COM.AL