
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, telefonoi menjëherë presidentin rus, Vladimir Putin, pas përfundimit të takimit me Zelenskyn.
Ashtu siç veproi edhe me presidentin ukrainas pas takimit me Putin në Alaskë, Trump zhvilloi një telefonatë 40-minutëshe me homologun e tij rus pasi përfundoi takimin me Zelenskyn.
Sipas mediave shtetërore ruse, Trump informoi Putin për rezultatet e bisedimeve të tij me Volodymyr Zelenskiy. Detajet e telefonatës u zbuluan nga ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.
“Në këtë telefonatë, Vladimir Putin dhe Donald Trump mbështetën idenë e vazhdimit të bisedimeve të drejtpërdrejta midis delegacioneve ruse dhe ukrainase. U diskutua ideja e rritjes së nivelit të përfaqësuesve në bisedimet për Ukrainën”, tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, në një audio të postuar në kanalin Telegram të Kremlinit.
Në një postim në rrjetin X, Trump konfirmoi se kishte nisur organizimin e këtij takimi.
Një përballje mes Zelenskyt dhe Putin pritet të ndodhë. Presidenti ukrainas ka shprehur gatishmërinë për të takuar udhëheqësin rus, ndërsa shtoi se nuk kishte asnjë datë se kur do të ndodhë.
“Nuk kemi asnjë datë. Sapo konfirmuam pas këtij takimi produktiv me presidentin Trump dhe më pas me të gjithë kolegët dhe partnerët tanë, të cilët konfirmuan se jemi gati për një takim trepalësh. E gjithë kjo tregon se Ukraina nuk do të ndalet kurrë në rrugën drejt paqes dhe ne jemi gati për çdo lloj formati, por në nivelin e udhëheqësve.”, tha Zelensky.
Kremlini ende nuk e ka pranuar publikisht një takim të tillë dhe mbetet për t’u parë nëse Putini, forcat e të cilit kanë përparuar ngadalë në Ukrainën lindore, është i përgatitur të ulet me Zelenskyn apo të tërhiqet
Komente