Presidenti i Këshillit Europian, António Costa priti dje, 9 shkurt, kryeministrin Edi Rama në një darkë pune në Bruksel.

Ata diskutuan për hapat që do të ndërmerren në vijim sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Janë bërë përpjekje të rëndësishme gjatë viteve. Tani ato duhet të mbështeten dhe të konsolidohen”, bën me dije ekskluzivisht për Klan News kabineti i Presidentit të KiE.

“Kryeministri Rama konfirmoi se reformat kyçe, veçanërisht në gjyqësor, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit, mbeten përparësi kryesore. Presidenti Costa riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara ato“, thuhet më tej.

“Kjo është një darkë pune, në kontekstin e dialogut politik që po zhvillohet me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE.”, njoftoi të hënën, zyra e shtypit e presidentit të Këshillit Europian, përmes një komunikimi me email.

Kujtojmë se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *