Nga Emin Azemi

Redaksitë e mediave të mëdha gjermane kanë kërkuar urgjentisht nga bashkëpunëtorët e tyre të tërhiqen nga zonat e rrezikshme në Afganistan, për shkak të represioneve nga ana e talebanëve.

Ky apel erdhi pas incidentit të rëndë që ka ndodhur kur forcat talebane likuiduan një anëtar të familjes së një gazetari të Deutsche Welle, i cili po fshihej nga talebanët, teksa kanë lënduar rëndë një anëtar tjetër të familjes.
Gazetari i kërkuar aktualisht ndodhet në Gjermani, por kjo nuk iu ka penguar talebanëve që ta godasin familjen e tij.

Këto sulme ndaj gazetarëve po ndodhin në kuadër të aksionit “pastrimi” , të cilin talebenatët e kanë nisur në kërkim “nga dera në derë” të kundërshtarëve politik dhe të gjithë atyre që kanë mbështetur forcat amerikane.

Ajo që mbetet dilemë e pasqaruar ka të bëjë me disa detaje të marrëveshjes që kishte arritur Trumpi me talebanët.
Njëri prej atyre detajeve, do të ishte, bie fjala, siguria e gazetarëve dhe gjithë atyre që kanë mbështetur administratën e deritanishme, pas tërheqjes së forcave amerikane.

Kush do ta merr përsipër sigurinë e tyre dhe a do të duhej talebanët të hakmerren ndaj tyre?!
Pse SHBA nisi tërheqjen e trupave, pa kryer evakuimin e civilëve të rrezikuar?!
Kjo pyetje shtrohet pasi që në terren po ndodhin gjëra të tmerrshme si pasojë e një marrëveshje katastrofale të Trumpit me talebanët….

Detaji tjetër ka të bëjë me armatimin. Çfarë palo marrëveshje alla Grenell është ajo kur gjithë armatimi modern amerikan bie në duart e talebanëve.
Siç raportojnë mediat, ushtarët amerikanë kanë lënë “në mëshirë të fatit” një arsenal me vlerë 8.3 miliard dollarë, ku përfshihen tanke dhe helikopterë. Të gjitha ato kanë rënë në duart e talebanëve, armiqve të SHBA! Sot talebanët zotërojnë tanke dhe helikopterë më shumë se 167 vende të botës, nga 202 gjithsej

A nuk ka mundur kjo çështje të regullohet në atë Marrëveshje? Si iu ka shpëtuar ky detaj tepër i rëndësishëm negociatorëve amerikanë. Ku e kanë pasur në ato momente Grenellin e tyre?!
Po, për pak harrova…. mbase me pas qenë Skënder Hyseni, sigurisht këto detaje do të rregulloheshin fatlumësisht!