Nga e hëna e 13 prillit fasha orare lëvizjes do të zgjerohet deri në orën 17:30. Kryeministria ka lajmëruar se të gjitha ushqimoret, farmacitë dhe bankat do të mund të punojnë deri në këtë orar.

Po ashtu nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në shifrat aktuale do të zgjerohet dhe mundësia e lëvizjes së makinave private për kë është i punësuar në bizneset që aktualisht lejohen të punojnë.

Rama thotë së këto lehtësime merren në kushtet kur nuk mungon optimizmi i arsyeshëm sipas tij së fundi i muajit maj të jetë dalja nga faza e parë e përballjes me pandeminë e Covid-19, periudhë kur një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të rikthehet në normalitet me rregulla të mirëpërcaktuar.

Por këto lehtësime do të shoqërohen me sanksione penale për shkelësit, sanksione që do të vendosen në kodin penal dhe atë rrugor nëse marrin 84 votat e nevojshme në seancën plenare të ditës së enjte.

Javën e ardhshme do të jetë gati dhe paketa e zgjeruar e mbështetjes financiare, në të siç lajmëron Rama do të përfshihen bizneset e vogla që edhe pse nuk janë mbyllur gjatë kësaj periudhe janë goditur në xhiron e tyre.

Në këtë kategori përfshihen: agjenci turistike, rrobaqepësi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektricistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, shoferët e taksive dhe ata  e të linjave të transportit urban si dhe punonjësit e tyre.

Ndërsa sa i takon punonjësve të bizneseve të mëdha që bazuar në listë pagesat e datës 9 prill figurojnë se vendet e tyre të punës janë prekur nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi Rama thotë se do t’u sigurohen mjetet e nevojshme financiare për dyzetë ditët.

Pjesë e pakete do jenë dhe sektorët e turizmit, një nga më të prekurit pas marrjes së masave në të gjithë botën por dhe industria fasone si dhe njësitë prodhuese në tërësi.

Po të hënën kryeministri ka lajmëruar se do të publikohet plani i hapjes graduale të riatdhesimit të shqiptarëve që janë rezidente në Shqipëri dhe që arsye të ndryshme mund të kenë ngelur jashtë kufijve pas mbylljes së tyre. Me kushtin siç shkruan Rama të karantinohen nën rregulla të forta sigurie për 14 ditë.