Mes protestave të studentëve për heqjen e tarifave të studimit, etj., kryetari i qeverisë, Edi Rama ka reaguar në “Facebook” ku njofton se ditën e hënë do të këtë një dialog për Universitetin duke nisur nga ora 11:00.
Kryeministri shkruan në status se pas pak minutash, studentët do të njihen edhe me ftesën, e cila sipas tij ka për synim t’i shërbejë dialogut mes studentëve dhe organeve qeverisëse.
Pas dorëzimit të 8 pikave në ministrinë e Arsimit, studentët dhe protestuesit, shqetësimet e tyre i kanë adresuar edhe tek kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe tek kryeministri Edi Rama, ata njoftojnë se pikat e tyre janë të panegociueshme.
Studentët kanë zgjeruar listët e kërkesave për një arsim cilësor në Shqipëri, në letrën drejtuar Kuvendit, Kryeministrisë (e veçanërisht kryeministrit Rama), MAS-së dhe konkretisht ministres Lindita Nikolla, por edhe universitete publike në vend.
Ata kërkojnë që buxheti për arsimin të rritet në 5% e GDP-së, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, përfshi këtu në universitet dhe në konvikt.
Kërkojnë transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe IAL-ve, duke kërkuar prej tyre publikimin online të të gjitha shpenzimeve.
Studentët kërkojnë gjithashtu rritjen nga 10 në 50% të peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në Senatin akademik.
Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore është gjithashtu mes kërkesave të tyre.
Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentorë, ligji i Arsimit të Lartë, pika 2, ata kërkojnë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash, si nga MASR-ja dhe IAL-të, por të shtohet edhe një përfaqësues nga studentët në të.
Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-2019 është gjithashtu kërkesë, për të cilën ngarkohen bashkitë përkatëse.
Studentët kërkojnë gjithashtu ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe. Në fund, studentët kërkojnë gjithashtu vlerësimin e performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor të pedagogëve, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.
Këto kërkesa, studentët i cilësojnë si të panegociueshme, gjatë bisedimeve do të lënë bojkotimin e mësimit dhe të ndërpresin protestën një ditë.
Veritas.com.al/