Frrok Çupi/
Më ndihmoi dialekti gegnisht me trajtën “prej nesh”, se ndryshe do të isha rrekur gjatë për të thënë me pak fjalë atë që ndodh me “çlirimin tonë” nga vetja jonë.
Në radhë të parë se askund në botë nuk është hasur kjo ‘vuajtje’ që një popull ose një komb të “pushtohet prej vetvetes” dhe t’i kërkojë të huajit që ta çlirojë prej vetes. Gjithë historia shumë shekullore pse kombet shkojnë në luftë, është mbrojtja e vatrës së tyre dhe e pasurisë dhe e nderit prej invadimit të huaj.
Në këtë rast ne jemi në invers: Po iu kërkojmë të huajve që të na çlirojnë nga tanët! Po iu kërkojmë të na çlirojnë nga zyrtarë të korruptuar shqiptarë që i kanë shkuar njeriut në kockë me grabitjet, vjedhjet, shpërdorimet dhe më në fund edhe një manifestim cinik para popullit viktimë. Po iu kërkojmë të na çlirojnë nga plantacionet me bimë narkotike që janë mbjellë në sipërfaqen e atdheut tonë “të shtrenjtë” për të cilin ‘jemi gati të japim jetën”. Po iu kërkojmë të huajve që të na çlirojnë nga kriminelët, vrasës e trafikantë që komandohen nga ministra.
Kur dëgjojmë që po vjen dikush nga jashtë atdheut me mision kundër krimit të shqiptarëve ose kundër bandave të qeverisura nga ministra, menjëherë lajmi përhapet nëpër media si shpresë. Edhe varfanjakët e këputur në kuzhina të ftohta, rrëmojnë pak bukë dhe gëzohen se ‘erdhën ata!”…
Më ndihmoi shumë e folura gegnisht me trajtën ‘prej nesh’, se ndryshe kushedi çfarë ‘piciri’ do të ishte që të formuloja shkurt tërë këtë ‘epope’ të pa parë diku tjetër, kur bota pritet që të na çlirojë ne- prej nesh. Shiko sa keq tingëllon!, sepse edhe gjuha e përditshme shqipe, sidomos varianti normativ, nuk e përmban këtë fenomen: që të çlirohemi ne nga ne! Më saktë është “prej nesh”. Sidomos për të shpjeguar për brezin shumë të ri, ose për politologë e mendimtarë të huaj, do të duhej të rrekeshim nëpër tërë ato maja të thepisura dhe humnera gjuhësore, sarkastike, alegorike, teatrale, etj…. Do të na duhej të ktheheshim edhe te mendimtarët tanë të ‘helmuar’ me vese të këqija të shqiptarëve. Për shembull, Faik Konica, një prej shkrimtarëve dhe mendimtarëve që tregoi të vërtetën si për vete dhe për kombin, e kishte prekur shpejt realitetin e ‘pushtimit prej vetvetes’.
“Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë…. Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë- lehtazi e bëjnë…”, ka shkruar Konica.
Në ditët tona kemi ardhur në pikën që nuk e çlirojmë dot vetë Shqipërinë. As dëbojmë dot zyrtarët e shtetit që bëjnë krime kundër njeriut duke e rrjepur dhe duke i vënë në krye, pastaj, banda kriminelësh… Por në vend që të dëbojmë kriminelët (ca me këmisha të bardha, ca si derra që zhgërryhen në baltë), shqiptarët largohen vetë nga vendi i tyre. Dy kombe që janë në “luftë” zënë sot vendin e parë për emigracionin: Sirianët dhe shqiptarët. Deri në fund të vitit 2016, në Siri ishin vrarë, në luftë civile, rreth 475 mijë njerëz, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara…. Ndërsa në Shqipëri i bie që “janë vrarë” mbi tre milionë njerëz, përjashto shtetarët dhe kriminelët si dhe ata që kanë ikur nga atdheu. Ky është pushimi i atdheut prej tanëve.
Tanët, domethënë ne, a mund ta çlirojmë atdheun nga pushtimi i tanëve, domethënë ‘nga ne’!?… Shiko sa e ngatërruar është kjo punë, aq sa edhe fjala nuk ekziston. Mendo pastaj, sa e pamundur është që të çlirohemi prej vetes sonë…
Përditë po e kërkojmë nga të huajt shpëtimin nga robëria e tanëve.
Tani, aktualisht, po vijnë e shkojnë prokurorët e qytetit Catania në Itali. Në burgjet e tyre kanë mbajtur një bandë shqiptarësh që terrorizonte popullin shqiptar. Ata e mbajtën bandën sepse u tremben për vete, por tani që kërkojnë këtu prova për banditët dhe për një ministër që kryesonte e mbronte bandën, na duket se kanë ardhur të na çlirojnë ne- shqiptarët… Tani po ndodhin disa lëvizje botërore kundër drogës dhe krimit… Për shembull presidenti amerikan Trump e shpalli ‘emergjencë kombëtare’ luftën kundër narkotikëve; dhe ne shpresojmë se fuqia amerikane po vjen këtu te ne… Ne iu afrohemi zgjedhjeve tona, hedhim votën për 2000 lekë në dorë dhe shpresojmë se do të ‘vijnë të huajt e na i rregullojnë punët’. Ne i lutemi partisë së ‘zemrës’: “Mbroje ministrin tonë, se as bukë as ujë nuk duam para kësaj”.
Vendi është pushtuar ‘prej nesh’, dhe nuk merr më frymë. Edhe sot politikanët u sulën kundër njëri tjetrit dhe zbuluan se “shteti është kapur nga krimi” dhe se “varfëria ka pushtuar Shqipërinë”. Këta e dinë shumë mirë se çfarë ndodh, por e zbulojnë sapo dalin vetë nga “banda pushtuese” që quhet edhe qeveri…
Tani është “e pamundur”, duhet të vijnë të huajt për të na “çliruar nga tanët”. Në fakt, jeniçerët e parë të pushtimit kanë qenë vetë njerëzit e vuajtur që tani kërkojnë ‘çlirim’. Se pushtimi nuk ndodhi përgjatë natës, kur erdhën hordhitë dhe rrethuan ‘kalanë’.
Pushtimi ka nisur nga obsesioni dhe mbahet nga obsesioni.
Obsesioni i parë:
Kur njerëzit dëgjuan poshtë e lart, në media të shkruara e në ekrane, se po shtoheshin falsifikatorë, hajdutë, mashtrues, zyrtarë të pasuruar brenda natës, zvarranikë partish për të përfituar, kriminelë me maska, trafikantë njerëzish, armësh dhe droge…., çfarë ndodhi me njeriun e shkretë?! Ky njeri lavdëroi me mendje çdo kriminel e zyrtar që bënte namin mbi pasurinë publike, mbi ligjin dhe moralin. Njeriu i shkretë ra në obsesion dhe, iu duk vetja si ata: trafikant, falsifikator, hajdut, zyrtar i korruptuar… Në këtë klimë u zhvillua pushtimi nga tanët.
Obsesioni i dytë:
Obsesioni i njeriut që kuptoi shumë vonë çfarë i kishte ndodhur. Si një nënë, për shembull, në analizat e Zigmund Frojd. Nëna kishte lindur vetëm një fëmijë dhe i dukej aq pak… I erdhi të hidhej nga dritarja, sepse e shtynte fobia; fobia nga vetja. I bëhej se do t’i ngulte thikën fëmijës së vetme; dhe kjo e shtynte të mos jetonte… Një komb që ka rënë në fobinë se ‘kundër tanëve’ është keq; edhe ‘me tanët’ – përsëri keq, e ka të vështirë të çlirohet nga pushtimi. Në fakt në fushën e “fëmijëve” të kombit nuk ka asnjë më këmbë. Politikanët, në të gjithë krahët, janë të zhytur në korrupsion, dhe populli i ndjek megjithatë, njësoj si “fëmijë të vetëm”. Por nuk mund të përparojnë drejt çlirimit…
Po nuk erdhën të huajt, nuk çlirohemi dot prej nesh.
Veritas.com.al/