( Foto: Kathleen Ann Kavalec)/
Prej disa muajsh Shqipëria është pa një ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sipas gjasave do të qëndrojë edhe për disa kohë e tillë, pasi Kongresi Amerikan ka rikthyer kandidaturën e ambasadores Kathleen Ann Kavalec për postin e ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri.
Nominimi i është rikthyer në zyrë Presidentit Trump, i cili në fund të vitit të kaluar ka patur disa replika me liderin e senatorëve demokratë Chuck Schumer. Sipas zotit Trump, Demokratët në Senat kanë kthyer dhjetëra nominime ambasadorësh për arsye ende të paqarta, çka ka sjellë dhe një sërë reagimesh nga shtetet ku nuk ka ambasadorë të SHBA-ve.
Tashmë mbetet në dorën e Presidentit të SHBA, Donald Trump, që të vendosë nëse do të rikonfirmojë emrin e Kathleen Ann Kavalec për të ardhur në Shqipëri apo kandidatura do të ndryshojë.
Nominimi i Kavalec për ambasadore e SHBA-ve në Tiranë ka shkuar në Senatin Amerikan që më korrik të vitit 2018, por që prej asaj kohe ka mbetur pezull.
Kathleen Ann Kavalec ka një karrierë 30 vjeçare ne diplomaci dhe aktualisht shërben në detyrë si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.
VERITAS.COM.AL/