/Veritas.com.al/

 

Zhurma mediatike e  kohëve të  fundit se po grabiten karburantet në kryeqytet, rezultoi me një punonjës të Gardës Kombëtare që grabiste rregullisht. Garda! Domethënë, siç edhe ka emrin, “Siguria! Ruajtja!” jonë.

Në psikozën e njerëzve ka ndryshuar tërësisht koncepti se “kush më ruan?”, ai që ka detyrë “për të më ruajtur?”, apo ai që ka qëllimin për të më dhunuar? Në këtë dilemë është vënë njeriu i kësaj epoke. Psikoza e njeriut ka ndryshuar pas shumë provave në jetën e përditshme. Në shumicën e akteve kundër njeriut, kundër jetës dhe pasurisë së tij, dhunuesit e parë janë ata që janë ngarkuar me sigurimin e jetës dhe të pasurisë së njeriut.

Të parët janë policët, për shembull. Në qindra raste grabitësit ose vrasësit, pasi janë “”zhveshur” nga petku i veprës kriminale, kanë dalë që ishin policë. Ose policët qëndrojnë në prapaskenë ku grabitës dhe vrasës ordinerë i marrin jetën tjetrit. Në plantacionet pa fund me kanabis, që po tmerrojnë edhe Europën, Policia është edhe roje, edhe pronare, edhe grabitqare. Nganjëherë po rezulton se edhe vrasëse.

Më në fund edhe Garda e Republikës. Karburantet e grabitura muajin e fundit, mbrëmë “kapën” një punonjës të Gardës së Republikës. Videot e publikuara prej dy ditësh në media kanë zbuluar grabitësin e karburanteve, grabitësin me armë dhe maskë në fytyrë. Por kur punonjësit e Komisariatit nr.2 arrestuan fajtorin del që ky është  21-vjeçari,  punonjës në Gardën e Republikës!

Në fund të operacionit koduar “Grabitësi”,  u bë i mundur ndalimi i shtetasit: Geraldo Guci, 21 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës.

Si grabiste pasurinë e qytetarëve punonjësi i Republikës?

Vinte rrotull karburantit. Pasi linte makinën e tij në një distancë të konsiderueshme dhe kontrollonte me kujdes territorin, bënte goditjet në karburant. Shumën monetare të marrë në karburante dhe armën e zjarrit së bashku me veshjen, i vendoste në brendësi të sediljes së mjetit të tij tip “Mercedes Benz”, për t’ju shmangur pikave të kontrollit. Gardisti rezulton të jetë autor i dyshuar i disa vjedhjeve me armë, të disa karburanteve në Tiranë si në rrugën “Isuf Elezi”, Selitë; në rrugën “Teodor Keko”, ku janë grabitur 20.000 lekë; në rrugën “Myslym Shyri”, ku janë grabitur 40.000 lekë, etj.

Atëherë, psikoza e njeriut merr goditje edhe më shumë. T’i drejtohet individi Republikës? Pikësëpari aty shfaqet “roja” i Republikës që është Garda dhe punonjësi i Gardës… Duhet të mos besosh më as te Republika?

 

/Veritas.com.al/