Kryeministri Edi Rama u prit këtë të enjte në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të turit ballkanik që po zhvillon në disa nga vendet e rajonit, për Procesin e Berlinit që do të mbahet në Shqipëri në muajin tetor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani u shpreh se me Ramën u diskutua për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.

Sipas saj, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy shteteve është në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të së ardhmes së përbashkët euroatlantike.

“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.